Në Muçibabë uji bartet me gomarë

Komuna e Gjilanit siguruar 1800 metra kabllo rryme, po aq metra zorrë për ujë, katër hidroforë dhe katër basene uji me këtë investim banorët shpresojnë se një herë e përgjithmonë do të zgjidhte problemi i tyre me ujë.

Lajme

24/02/2014 09:02

Kroni i Vjetër te Lerajt, është larg 800 metra nga fshati kufitar Muçibabë i komunës së Gjilanit. Vehid Ibrahimi, një mesoburrë që ka kaluar të pesëdhjetat, ngarkon gomarët me bure të mëdha uji prej plastike dhe njësoj vepron çdo ditë, duke shkuar me buretë bosh e duke u kthyer me to të mbushura me ujë, të cilin e shfrytëzon për nevoja familjare, shkruan “Zëri”.

Ka kohë që pesë familje të fshatit kishin problem me ujë të pijshëm, por tashti duket se edhe për to është gjetur zgjidhja.

Siç thotë Vehid Ibrahimi, fshati Muçibabë i ka 16 familje me rreth 83 anëtarë. Ata vazhdojnë të jetojnë në kufi me Serbinë dhe, për dallim prej viteve të mëparshme kur kishin probleme me xhandarmërinë serbe që shpesh e kalonte kufirin, tashti nuk kanë më halle të tilla.

Ai thotë se tashti problemin më të madh e kanë furnizimin me ujë, por që, sipas tij, shumë shpejt edhe kjo do të realizohet. Ai thotë që komuna u ka siguruar 1800 metra kabllo rryme po aq metra gypa për ujë, katër hidroforë dhe katër basene uji, gjë e cila një herë e përgjithmonë do të zgjidhte problemin e këtyre familjeve.

“Më së shumti rregullimit të çështjes së furnizimit me ujë do t’i gëzohen nënat dhe gratë tona, të cilat më shumë se çdokush tjetër kanë hequr të zitë e ullirit. Ato shpesh qenë të detyruara që nëpër dorë të bartin ujin më shumë se ne meshkujt”, ka thënë Vehid Ibrahimi për gazetën “Zëri”.