Në morgun e Prishtinës mbesin të ngujuara mbetje mortore nga lufta

Departamenti i Mjekësisë Ligjore që nga paslufta mban në morgun e tij me rreth 200 trupa të paidentifikuar të të vrarëve gjatë vitit 1999 në Kosovë. Në këtë morg po ashtu gjenden edhe 100 mbetje kockore të personave të zhdukur.

Lajme

29/11/2014 09:29

Eshtrat e mbi 200 personave tash e 15 vjet gjenden në morgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Edhe pse dihet se eshtrat u takojnë personave që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ata nuk janë identifikuar ende.

Në morgun e Mjekësisë Ligjore gjenden po ashtu edhe 100 mbetje kockore të të vrarëve në luftë, identiteti i të cilave po ashtu mbetet i panjohur.

Se ata trupa gjenden aty, e konfirmoi për gazetën Tribuna edhe kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj. Ai tha se nuk dihet viti në të cilin ata trupa janë vendosur aty. “Në morg janë rreth 200 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit. Nuk e di kohën kur janë vendosur aty”, ka thënë Gjetaj.

Sipas tij, Mjekësia Ligjore duhet të japë më shumë detaje lidhur me mënyrën e trajtimit të tyre. Për institucionet kosovare është shqetësuese që ata trupa kanë mbetur aty që një kohë kaq të gjatë.

“Për ne është shumë shqetësuese që 200 deri në 300 trupa të mbesin në morg dhe pa pasur identifikim, mos të dihen se kush janë. Ky është një problem shumë i madh”, ka shtuar Gjetaj./Tribuna/