Në Mitrovicë nënshkruhet kontrata për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave

Komuna e Mitrovicës dhe përfaqësuesit e Kompanisë Amerikano-Suedeze “Green 3Power”, kanë nënshkruar të shtunën kontratën për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë elektrike prej 12 megavatesh, shuma e të cilës kap vlerën prej 43 milionë euro.

Lajme

15/11/2014 14:40

Komuna e Mitrovicës ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e fabrikës e cila bënë riciklimin e mbeturinave, dhe prodhimin e energjisë elektrike prej 12 megavatesh.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri tha se falë këtij projekti, nga viti 2016 Mitrovica do të ketë energji elektrike të mjaftueshme.

Agim Bahtiri, bëri të ditur se janë ndarë 10 hektarë tokë në Zonën e Lirë ekonomike për ndërtimin e kësaj fabrike e cila do të kushtojë 43 milionë euro, ndërsa punët pritet të fillojnë brenda muajit.

“Mitrovica do të ketë më 2016 rrymë të mjaftueshme dhe s’do të ketë nevojë për import fare”, ka thënë mes tjerash Bahtiri.

Në anën tjetër, drejtori i Kompanisë Amerikano-Suedeze “Green 3Power”, Neil Williams, ka sqaruar se kompania e tij është e gatshme të fillojë punimet menjëherë në ndërtimin e fabrikës.

Sipas tij, kjo është mënyra më e pastër në botë për ta konvertuar energjinë.

“Jemi 1 mijë herë më të pastër sesa kualiteti i arit”, ka thënë Wiliams duke shtuar se rezultatet e kësaj teknologjie do të jenë benefit për tërë komunën.

Ky është investimi më i madh në prodhim që deri tash ka bërë ndonjë kompani vendore apo ndërkombëtare, në Mitrovicë.

(Kosovapress)