Në mars vazhdojnë gërmimet në Rashkë

Prekë Gjetaj thotë se gërmimet në Rashkë janë ndërprerë si pasojë e kushteve klimatike. Beson se ato do të fillojnë në muajin mars. Në Rashkë dyshohet të jenë 250-300 mbetje mortore, anipse ka informacione se ky numër mund të arrijë deri në 450.

Lajme

05/02/2014 10:34

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenkë Gjetaj, thotë se gërmimet në Rashkë do të vazhdojnë në muajin mars. Ai thotë se gërmimet janë ndërprerë për shkak të kushteve klimatike.

“Kushtet klimatike nuk kanë lejuar që të bëhen punët profesionale në periudhën e dimrit”.

“Sot kemi marrë një shkresë që mbetjet mortore të enjten do t’u nxirren profilet për t’ju dërguar mostrat për analizë të ADN’së”.

“Është përmendur pranvera, gjegjësisht marsi dhe po shpresojmë që në pjesën e dytë të marsit të insistojmë të vazhdojnë gërmimet”.

Në një intervistë dhënë për “Tribuna”, Gjetaj thotë se në Rashkë dyshohet të jenë 250 deri 300 persona, anipse disa informatorë thonë se mund të jenë edhe 450.

Gjithsesi ai thotë se autopsia do të tregojë numrin e saktë të tyre.

“Ka të dhëna të ndryshme por ne po mbështetemi në disa deklarime që janë dhënë nga ane e palës së Beogradit që janë përmendur shifra 250 deri 300 persona, ndërsa informatorët tanë kanë shkuar deri në 450”.

“Ekzaminimi dhe autopsia do të tregojnë se sa është numri i tyre. Në shikim të parë janë dukur katër ose pese mbetje mortore, por ana profesionale do të tregojë se sa mbetje mortore janë nxjerr në atë rast”.

Prekë Gjetaj mendon se Serbia nuk mund të pengojë punimet. Por nuk pret që gërmimet të kryehen shpejt pasi që duhet të largohet shtëpia dhe asfalti, poshtë të cilave gjendet edhe varreza masive në Rashkë

“Fillimisht duhet pasur parasysh se duhet të largohet shtëpia, pastaj pllakat e betonit dhe pllakat e asfaltit që qëndrojnë mbi varrezë dhe pastaj të kryehen punët profesionale. Sa do të zgjasë do të varet prej ekipit, numrit të njerëzve që merren me atë çështje”.

“Kam përshtypje se nuk do të jetë kohë bash e shkurtër sepse për t’u kryer një punë profesionale, nxjerrjen, ekshumimin e një numri mbi 200 apo 300 mbetjeve mortore, duhet të llogaritet secili hao me kujdes”.

“Pengesa tash nuk besoj se mund të paraqesë Serbia, sepse ajo është munduar të na humbë orientimin dhe të zvarritë deri tani”.

Gjetaj tregon se deri më tani nga Serbia janë sjellur 847 mbetje mortore. Thotë se numri i përgjithshëm i personave të zhdukur është 1 mijë e 719 persona.

“847 mbetje mortore deri më tani janë sjellë nga Serbia. Pjesa më e madhe e tyre janë sjellë nga Batajnica, pastaj nga Petrovo-Selli dhe nga Baja Bashta”.

“Prej tyre është një numër shumë i vogël, 15 apo 16 që nuk kanë përputhshmëri në analizat e ADN’së, kurse të tjerat janë identifikuar dhe janë dorëzuar familjeve”.

“Numri zyrtar i të zhdukurve deri më tani është 1 mijë e 719 persona të cilët evidentohen të zhdukur”, shkruan Tribuna.