Në Malishevë disa të shoqëruar në polici

Në komunën e Malishevës, disa persona janë shoqëruar në polici, në raste që lidhen rreth zgjedhjeve të sotme. 

Lajme

08/06/2014 17:52

Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, ka bërë me dije se në Malishevë, tek qendra e votimit në Gjimnazin “Hamdi Berisha”, 4 veta janë shoqëruar në polici, njëri nga ta i dyshuar për keqpërdorim ndërsa 3 të tjerë në cilësinë e dëshmitarit. 

“Tek një person është gjetur një fletëvotim i ngjashëm me ata që shpërndahen për edukimin e votuesve, ndërsa 3 të tjerë janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit dhe tash të shohim çka do të vendosë prokurori”, ka thënë Berisha rreth orës 15:50, raporton korrespodenti i “Kohës Ditore” në Malishevë, Rexhep Krasniqi. 

Ngjarja, sipas Berishës, ka ndodhë në një objekt hotelier jashtë oborrit të objektit që shërben si qendër votimi. Një person tjetër është shoqëruar në polici në fshatin Vërmicë të Malishevës i cili, sipas Berishës, ka qenë i dehur dhe ka krijuar probleme në oborrin e objektit që ka shërbyer si qendër votimi, transmeton Koha.net. Berisha ka thënë se nuk ka informata se cilit subjekt i takojnë të shoqëruarit në polici.