Në Libi vritet një çift i krishterë, iu rrëmbehet vajza

Një çift i krishterëve koptë nga Egjipti është vrarë të martën në Libi, kurse vajza e tyre është rrëmbyer.

Bota

23/12/2014 19:57

Zyrtarët thanë se sulmi ka gjasë që është i motivuar nga përkatësia fetare.

“Persona të paidentifikuar e të armatosur e kanë vrarë mjekun egjiptian Magdi Sobhi Toufik dhe bashkëshorten e tij në shtëpinë e tyre në qytetin Sirte, që gjendet 500 kilometra në lindje të Tripolit”, ka thënë kryetari i këshillit lokal, Yussef Tebeiqa.

Ai ka shtuar se vrasësit e kanë rrëmbyer vajzën 18-vjeçare të çiftit derisa i kanë lënë në shtëpi dy vajzat tjera më të reja.

Tebeiqa ka shtuar se sulmi mund të jetë bërë me motive fetare, ngase, sipas tij, vrasësit nuk kanë marrë as para në shtëpinë ku e kanë kryer krimin e as stolitë që i kishte gruaja e vrarë.

Disa të krishterë koptë janë vrarë gjatë viteve të fundit në Libi.

Trupat e shtatë të krishterëve egjiptianë të vrarë, në shkurt të këtij viti, janë gjetur në afërsi të qytetit Bengazi.

Disa mijëra egjiptianë punojnë në Libi, kryesisht në sektorin e zejeve dhe të ndërtimit.

Qyteti Sirte, i cili është vendlindja e ish-liderit Gadafi, aktualisht kontrollohet nga milicia islamike.