Në Kuvend shkelje kishte nga të dy palët

Në mbledhjen e djeshme konstituive të Kuvendit, fillimisht shkeljet i nisi PDK, për të vazhduar pastaj nga blloku i koalicionit, vlerësojnë analistët.

Lajme

18/07/2014 20:40

Organizata që monitoroi punën e Kuvendit thotë se edhe drejtuesja e seancës konstituive, Flora Brovina ka bërë shkelje pasi nuk i është përmbajtur skenarit të paracaktuar nga Kryesia e Kuvendit. 

Për kundër zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar askush s’e sheh Kuvendin funksional deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu problem e shohin edhe thirrjen e seancës së parë. 

Albert Krasniqi, hulumtues i politikave në KIPRED në një prononcim për KTV, thotë se rregullorja u shkel nga të dyja palët. E para që nisi, sipas tij, ishte PDK-ja.

Sipas tij, çdo veprim në seancë nuk ishte konform rregullores së punës së Kuvendit. 

“Fillimi i shkeljeve të cilat i kanë bërë, ka nisur qysh me ulëset e deputetëve të cilat në njëfarë mënyre u uzurpuan nga deputetët e PDK-së, dhe kjo i paraprinte të gjitha zhvillimeve të tjera. Duket se ka qenë e qartë që PDK nga fillimi ka pasur një skenar për dështim të kësaj seance në mënyrë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të fitoj në hapat e ardhshëm që do t’i merr”.