Në Kumanovë 121 familje kanë pësuar dëme materiale

Nga përleshjet e armatosura në Kumanovë, 66 shtëpi dhe 121 familje kanë pësuar dëme materiale. Këto janë të dhënat e para që i janë dorëzuar qeverisë dhe autoriteteve komunale nga komisioni për vlerësimin e dëmeve, i cili do të vazhdojë punën në terren edhe në ditët në vijim.

Lajme

14/05/2015 14:48

Komuna e Kumanovës në bazë të këtyre informacioneve, ka shpërndarë ndihmat e para në Lagjen e Trimave. Ndërkohë, katër ditë pas tërheqjes së policisë nga lagja e tyre, banorët ende nuk po arrijnë të marrin veten dhe të largojnë nga mendja atë çfarë ju kishte ndodhur.

Hysni Shaqiri, ish-deputeti shqiptar nga Kumanova dhe pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001, thotë se këto ngjarje kanë prekur të gjithë shqiptarët.

Sahqiri ka ftuar zyrtarët e Prishtinës dhe Tiranës të vizitojnë Lagjen e Trimave dhe në të ardhmen t’i kushtojnë më tepër vëmendje popullatës shqiptare në Maqedoni.

“Ka hapësirë për të vepruar politikisht. Shqiptarët kanë struktura për t’u organizuar dhe për t’i thënë ndal këtij terrori, kësaj politike që po shkakton dhimbje dhe trauma tek familjet shqiptare. Kjo është dhimbje e gjithë shqiptarëve”, ka thënë Shaqiri.

Nga përleshjet në Kumanovë është raportuar që mbetën të vrarë 22 persona përfshirë 8 policë dhe 14 pjesëtarë të grupit “UÇK”.