Në kthetrat e dhunës

Për sa kohë të ekzistojë dhuna ndaj femrave, nuk mund të thuhet se është bërë përparim i dukshëm në rrugën drejt barazisë dhe paqes.

Opinion

20/01/2015 12:52

“Dhuna ndaj femrave është mbase shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut. Ajo nuk njeh kufij gjeografikë, kulturorë, apo të pasurisë. Sa kohë që ajo do të ekzistojë, nuk mund të themi se kemi bërë përparime të dukshme në rrugën tonë drejt barazisë e paqes”. Këto fjalë janë thënë këtu e 16 vjet më parë nga Kofi Anan në selinë e OKB-së.

Asokohe, shoqëria jonë kishte halle reale mbijetese. Dhuna ishte një gjë e përditshme, jo vetëm ndaj grave, jo vetëm në familje, por ngado, ndër rrugë, kodra e brigje, në çdo skutë të shoqërisë. Tani që shoqëria duket disi më e normalizuar, tema e dhunës ndaj femrave dhe ndaj dhunës në familje bëhet objekt bisedash e debatesh jo vetëm mediatike sa herë që ndonjë valë e ngjashme vendos si papritur të godasë sërish. Atëherë OJQ-të bëjnë rolin e përhershëm të të revoltuarit, politika gjen një sebep më shumë për të debatuar, opinioni në përgjithësi ka rastin të nervozohet – me thënë të drejtën jo edhe aq dukshëm – dhe të gjejë edhe një herë tjetër të mirin dhe të keqin. Pastaj, si kalon kjo valë, të gjithë zhyten në botën e tyre të vogël, në hallet e përditshme dhe presin deri sa të mbërrijë viktima e radhës.

Ndodhi kështu edhe para dy ditësh, kur një “i fortë” 53-vjeçar nga një fshat i Fierit sapo doli nga burgu rrahu për vdekje bashkëshorten e tij. Ngjarja ngjethëse sigurisht që ndezi butonin e debateve edhe një herë tjetër. Mediat raportuan se në debat u përfshinë edhe dy nga figurat më të rëndësishme të politikës aktuale shqiptare, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. U duk sikur debati mes tyre ishte një konceptim i ndryshëm i të dyve mbi dhunën në familje, sikur të dy ndanin mendime të ndryshme mbi shkaqet që e lindin, mbi mënyrat si duhet kufizuar, mbi ata faktorë që e nxisin. Në fakt, edhe ishte, edhe nuk ishte kështu. Pavarësisht fjalëve të rrepta, të dy kundërshtarët binin dakord se ky krim është një gjë e pështirë, një gjë që nuk e nderon shoqërinë shqiptare e kështu me radhë. Ata të dy ndaheshin në një pikë. Ministri Tahiri bënte fajtor gjykatën që porsa e kishte liruar vrasësin. Ndërsa ish-ministrja bënte me faj policinë, pra edhe vetë personalisht Tahirin që është kreu i Rendit në Shqipëri. Rezultati i këtij debati, përveçse u dha edhe një herë rastin dy “duelistëve” të mbronin llogoren e tyre, është se fjalori politik dhe juridik i shqipes u pasurua edhe me një fjalë tjetër: “feminicid” për vrasës femrash, njësoj si insekticid për vrasës insektesh.

Që dhuna ndaj femrave, kudo që të ndodhë, në familje, apo jashtë saj është shprehja më e dukshme e burracakërisë për këtë nuk ka asnjë dyshim. Besojmë se me këtë do jetë dakord edhe maskilisti më militant. Kjo lloj dhune nuk është gjë tjetër veçse frika që fshihet pas muskujve, arroganca që fshihet pas injorancës, e keqja që fshihet pas gjetjes së ndonjë sebepi në dukje të drejtë. Vetëm se herë pas here bëjmë mirë që merremi me këtë lloj të ndyrë dhune, por bëjmë keq nëse e ndajmë atë nga konteksti ku kjo lloj dhune ushtrohet në mjediset tona.

Me fenomenin e dhunës merren disa fusha studimi: sociologjia, psikologjia, psikiatria, politologjia. Aq i interesuar është sot opinioni në botë sa që për studime të ngjashme ka lindur vitet e fundit edhe një interdisplinë që quhet “peace and conflict studies”. Sipas një prej specialistëve më në zë të sociologjisë në këtë fushë, Johan Galtung, dhuna mund të ndahet në tri kategori kryesore: më e para është ajo direkte. Ku një person qoftë mashkull a femër dhunon direkt një të dytë, fizikisht, psikologjikisht apo ç’të jetë. Kjo zakonisht vjen nga pasione të çastit që janë edhe gjëra në përgjithësi të shmangshme, por që ua errësojnë sytë protagonistëve deri aty sa të çojnë edhe në vrasje. Sipas Galtung, lloji i dytë i dhunës është ajo që ai e quan “strukturale”. Sociologu me këtë ka parasysh atë lloj dhune që buron nga kontradikta mes aftësive dhe dëshirës së një individi për të ecur përpara dhe pamundësisë së tij për ta realizuar këtë. Dhe në këtë pikë mendojmë se duhet ta inkuadrojmë pjesërisht edhe këtë inatin tonë që porsa na zuri ndaj krimit në familje. Sigurisht që dhuna në familje ka shkaqe të shumëllojta: tradhtinë në familje, veset e bashkëshortëve, pijen, bixhozin, sëmundjen e xhelozisë me bazë e pabazë. Në njëfarë kuptimi nuk mund të vetëm një cak pasuror apo social të fenomenit. Por nëse shohim rastet e fundit, do të shohim se ato janë verifikuar më së shumti në fshatra apo në periferitë e varfra të qyteteve, ku bashkëshorti vrastar ka qenë ose në emigracion, ose në burg, ose është i papunë. Nga ana tjetër, gruaja viktimë, në shumicën e rasteve, ka qenë shtëpiake që, për të mbajtur familjen priste me orë të tëra me sytë nga porta për të dëgjuar kollën e thatë të burrit. Me pak fjalë, viktimat e ngrata kanë qenë në shumicë femra jo të pavarura ekonomikisht.

Një tjetër kategori më vete e dhunës është ajo që ekspertët e quajnë “kulturore”. Kjo ka të bëjë kryesisht me mbizotërimin e dhunës në një rreth të caktuar social, krahinor apo administrativ. Kur themi mbizotërimin e dhunës nuk kemi parasysh këtu se këta njerëz rrihen përditë paq, porse në mbizotërimin e dhunës edhe si vlerë kulturore. A nuk ndodh shpesh edhe kjo te ne? Cili prej nesh nuk e ka dëgjuar të paktën një herë në jetë atë shprehjen e ndonjë të forti drejtuar gruas apo shoqes: Do ikësh apo do hash ndonjë grusht? Pastaj është punë ditësh nëse grushti lëshohet vërtet apo jo. I forti e ka deklaruar veten para të tjerëve. Për shumë vetë, ai bëhet normal, për shumë të tjerë model.

Sikurse shihet, dhuna lidhet me shumë anë të shoqërisë. Brenda nesh, ajo është pjesë përbërëse njerëzore, sikurse është edhe urrejtja, por që ajo të shpërthejë në agresion ndaj tjetrit duhen disa kushte që i përcakton historia, kultura, gjendja jonë mentale, emocionale e sociale. Lidhur me këtë, nëse kujtohemi për dhunën vetëm kur ajo ushtrohet ndaj femrave, dhe vetëm atëherë e trajtojmë si problem të shoqërisë, krijojmë dy masa të sajuara përballë njëra-tjetrës, që janë meshkujt jo gjithnjë të mirë dhe femrat viktima gjithnjë të mira. Dhuna në vetvete është pjesa më e pështirë që ka shpikur mendja njerëzore, brenda saj dhuna ndaj femrave, e cilitdo lloj qoftë, është ajo që na bën me turp si qenie njerëzore. Mirëpo nuk mund të kufizojmë dhunën-bijë pa luftuar më parë në të gjitha frontet e mundshme dhunën-mëmë. Dhe për ta bërë këtë nuk mjafton as vetëm policia, dhe as vetëm gjykata. Për ta arritur këtë duhet mobilizuar fort edhe pjesa tjetër e shoqërisë: media, zyrat e punës, shkollat, kleri… Përndryshe do të lidhemi sërish bashkë sapo një tjetër “feminicid”, larg qoftë, do të godasë sërish në mënyrë gjakatare.

(Marrë nga Gazeta Shqip)