Në krye me Albin Kurtin, Vetëvendosje do të ndahej plotësisht, thotë Mushkolaj

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se do ta rishqyrtojë vendimin për dorëheqjen nga Kryesia e partisë.

Lajme

08/01/2018 12:35

Haxhiu përmes këtij njoftimi iu ka bërë thirrje edhe të tjerëve që të ndjekin e hapin e saj, duke shtuar se këtë ia kanë borgj Vetëvendosjes dhe popullit të Kosovës.

Në lidhje me këtë, analisti politik, Imer Mushkolaj, i ka thënë lajmi.net se kjo cështje nuk është teknike dhe nuk pret rikthime të tjera si rasti i Albulena Haxhiut.

“Gota tashmë është thyer dhe është e pariparueshme, gjithcka varet se si do t’i qaset Albin Kurti kësaj krize në Vetëvendosje”, ka thënë Mushkolaj duke iu referuar zgjidhjes së krizës në këtë parti.

Duke komentuar reagimin e Albin Kurtit lidhur me dorëheqjet e aktivistëve të Vetëvendosjes, Mushkolaj theksoi se ka pritur një reagim më gjithëpërfshirës dhe jo përjashtues, duke shtuar gjuha që ka përdorur Kurti tregon për çarjen e thellë në këtë parti, raporton lajmi.net.

Sipas, Mushkolajt zgjidhja  që do të çonte në një përmirsim të gjendjes dhe hapat që duhet ndërmirren janë gjetja e një kryeatari konsensual mes Albin Kurtit dhe grupit që e kundërshtojnë atë.

“Albin Kurti është tashmë kandidati i vetëm për kryetar të Vetëvendosjes , mirëpo mendoj që hapi që duhet të ndërmerret në këtë rast është të provohet të gjindet një kandidat konsensual për kryetar të Partisë mes Albin Kurtit dhe grupit kundër tij”.

Mushkolaj shtoi se zgjedhja e Albin Kurtit për kryetar të partisë nuk e zgjidh krizën në Vetëvendosje.

“Nëse Albin Kurti vije prap në krye të partisë, atëherë nuk mund të flasim për një Vetëvendosje, por për një ndarje të plotë të Vetëvendosjes.”

Mushkolaj, duke folur për grupin kundër Albin Kurtit, tha se ky grup tashmë ka dy zgjidhje para vetës.

“Ky grup tashmë ka para vetës dy zgjidhje, ose të rrijë brenda partisë Vetëvendosje si fraksion, ose të krijojnë subjekt të ri politik” përfundoi Mushkolaj./Lajmi.net/.