Në Kosovë 350 mijë ndërtime pa leje

Në tryezën e thirrur sot nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, për të diskutuar për detajet e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, është bërë e ditur se deri tani janë regjistruar 350 mijë objekte të tilla.

Lajme

23/05/2016 12:02

Ministri Agani ka thënë se procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje është një proces shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës e po ashtu edhe për qeverinë, raporton lajmi.net.

Ky proces sipas tij ka filluar me miratimin e ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ndërsa në fazën parë të zbatimit të ligjit që ka qenë regjistrimi i ndërtimeve pa leje, në regjistrin shtetëror janë regjistruar mbi 350.000 ndërtime.

Kurse në fazën e dytë për legalizim ai ka bërë të ditur se janë dorëzuar 8500 aplikacione.

Agani ka thënë se qeveria ka qëllim që sa më shumë që të jetë e mundur, ndërtesat të mos rrënohen, por që rrethanat të formalizohen ashtu si janë dhe të krijohen mekanizma pozitivë përmes përmirësimeve në ndërtim dhe në  planifikimin hapësinor që me kalimin e kohës do të çojnë në zhvillimin e Kosovës. /lajmi.net