Në Klinikën Infektive edhe 11 raste të reja nga fruthi

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, në një prononcim të tij për klankosova.tv ka thënë se deri më tani janë trajtuar mbi 60 raste të pacientëve të prekur nga epidemia e fruthit.

Lajme

17/10/2017 15:38

Ramadani tutje ka shtuar se vetëm gjatë ditës së sotme, në Klinikën Infektive, janë pranuar 11 raste të freskëta të prekura nga kjo epidemi, transmeton Klan Kosova.

Ai ka sqaruar po ashtu se rastet e prekura nga kjo sëmundje epidemike që ka kapluar vendin janë nga vendet e ndryshme të Kosovës,  teksa në prononcimin e tij për klankosova.tv tha se ata të cilët janë të ifektuar iu takojnë kryesisht moshës së mitur të kategorisë së fëmijëve parashkollor.

Infektologu Ramadani ka thënë se nga kjo epidemi nuk ka vend për panik por ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës, të vaksinohen dhe të imunizohen pasi sipas tij këto janë faktorët kryesor dhe arma e vetme që mund ta luftojnë epideminë e fruthit.

Në prononcimin e tij Drejtori i Klinikës Infektive, ka pranuar se disa nga pacientët të cilët po trajtoheshin për të luftuar epideminë e fruthit, tashmë janë liruar nga spitali, ndërsa ai ka potencuar se kjo klinikë deri tani është e furnizuar me ilaçet dhe medikamentet e nevojshme për trajtimin e kësaj epidemie, transmeton Klan Kosova.

Deri më tani dy persona kanë humbur jetën si pasojë e fruthit.