Në kërkim të vrasësit. Pas videove, dhjetëra telefonata drejt policisë

Të stimuluar edhe nga shpërblimi prej 10 mln lekësh, dhjetëra telefonata kanë mbërritur sërish në Policinë e Tiranës pas publikimit të videos së dytë të vrasësit të ish-drejtuesit të policisë Artan Cuku.

Lajme

20/04/2017 15:44

Të gjitha informacionet e administruara nga uniformat blu po i nënshtrohen verifikimeve por ende hetuesit nuk kanë në dorë një identikit konkret të autorit të dyshuar.

Personi që po kërkon policia është 1 metër e 75 cm i gjatë dhe rreth 30 vjeç, por fakti që asnjë person s’e ka njohur apo shprehur dyshime mbi një emër konkret i ka shtyrë specialistët e krimeve ndaj jetës të mos përjashtojnë as mundësinë që vrasësi të jetë një shtetas i huaj, ose person që jeton jashtë territorit të Shqipërisë.

Për këtë po kryhen edhe verifikime në sistemin TIMS mbi personat me precedentë penalë, apo të dyshimtë që kanë hyrë dhe kanë dalë nga vendi ditët para dhe pas vrasjes.

Në videon e dytë autori duket 1 orë e 13 minuta para ekzekutimit, në pjesën ballore të pallatit ku banonte komisari dhe mesa duket ai ka studiuar mirë territorin.

Policia po analizon edhe disa gjurmë gishtash dhe monstra ADN-je që janë mbledhur në vendngjarje, të cilat do të krahasohen me të dhënat e kontigjentit kriminal.

Hetimet për vrasjen e bujshme janë fokusuar në 3 pista, për shkak të gjakmarjes, për shkak të detyrës dhe ajo për shkak të konkurrencës, ku i ndjeri Cuku së fundmi administronte një shoqëri.

YouTube player