Në Katalonjë – pjesëmarrje e lartë në votime

Sipas sondazheve, as mbështetësit e unitetit të Spanjës dhe as separatistët nuk kanë përparësi të qartë.

Bota

21/12/2017 17:15

Në zgjedhjet në Parlamentin rajonal në Katalonjë po përvijohet një pjesëmarrje e lartë. Para lokaleve të zgjedhjeve janë krijuar vargje të gjata me njerëz. Deri në orën 13.00 votën e patën dhënë rreth 34,7 përqind e personave me të drejtë vote. Këtë herë nuk përjashtohet që në votime të marrin pjesë deri 80% e personave me të drejtë vote. Më shumë se 15.000 policë janë angazhuar. Rreth 5,5 milionë persona me të drejtë vote mund të japin votën deri në orën 20.00.

Rezultatet e para priten në mbrëmje vonë.

Sipas sondazheve, as mbështetësit e unitetit të Spanjës dhe as separatistët nuk kanë përparësi të qartë. Prandaj shumë vëzhgues nuk presin që konflikti të zgjidhet shpejt. Shoqëria në Katalonjë është thellësisht e ndarë.

Presidenti i shkarkuar rajonal i Katalonjës Puigdemont tha në Bruksel se shpreson që të arrihet një rezultat, i cili ta rivendosë demokracinë.

Përfaqësuesja në Gjermani e qeverisë së shkarkuar katalanase, Kapretz, pavarësisht nga rezultati u bëri thirrje të dyja palëve për bisedime. Radios kombëtare gjermane Dojçlandfunk, ajo i tha se pa një ndërmjetësim ndërkombëtar është e vështirë që Spanja dhe Katalonja të bien dakord me njëra-tjetrën.

Qeveria qendrore në Madrid e shkarkoi qeverinë separatiste katalanase në fund të tetorit, pas mbajtjes së referendumit ilegal dhe shpalljes në mënyrë të njëanshme të pavarësisë. Disa politikanë drejtues të Katalonjës ndodhen në burg, kurse kryeministri katalanas Puigdemont qendron në Bruksel. /DW