Në Hungari, 24 mijë kosovarë të regjistruar, shumica duan të kthehen

Autoritetet hungareze vazhdojnë të përballen me valë të pabesueshme të hyrjes së kosovarëve në territorin e vet, shumica e të cilëve duan të kthehen në Kosovë për shkak të kushteve të rënda të vendosjes si në Hungari ashtu edhe në Gjermani.  

Lajme

02/02/2015 21:31

Zyra e Emigracionit e Ministrisë së Brendshme hungareze, i ka konfirmuar KTV-së se vetëm deri më 25 janar, në Hungari, janë regjistruar 6,000 kosovarë. Kjo e çon numrin e azilkërkuesve kosovarë brenda tre muajsh në 24 mijë, raporton KTV.

Pasi mbahen deri në dy ditë në qytetin më të afërt Seged, kosovarët dërgohen në Budapest, ku u tregohet se në cilin kamp duhet të shkojnë. Disa kanë përfunduar në Kiskunhalas, e të tjerë në Debrecen.

KTV-ja ka folur me kosovarë në të dyja kampet – njëri i mbyllur e tjetri i hapur. Ata kanë folur për kushtet e rënda dhe ushqimin e keq dhe dëshirën e tyre që sa më parë të kthehen në Kosovë.

KTV-ja ka parë edhe familje e të rinj që bredhin gjithë natën nëpër Budapest pa ditur se çfarë të bëjnë. Disa megjithatë përfundojnë në Gjermani. Në Karlsruhe fillimisht, ku kalojnë pak kohë, e më pas shpërndahen kudo.

Shumë emigrantë kohët e fundit ka në Berlin. KTV-ja ka arritur të hynte brenda një strehimoreje, ku jetojnë dhjetëra kosovarë, dhe ka parë nga afër kushtet në të cilat jetojnë ata. Shumica thonë se as Gjermania nuk është si e kishin menduar dhe mezi presin ta kenë mundësinë të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë.