Në Homs të Sirisë vriten 30 fëmijë

Agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë dhe grupi monitorues Observatori për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, thonë se së paku 39 vetë, përfshirë 30 fëmijë, janë vrarë, kurse edhe shumë të tjerë janë plagosur sot nga një sulm i dyfishtë me makinë-bombë, afër një spitali dhe shkolle në qytetin e Homsit.

Bota

01/10/2014 20:30

Observatori për të drejtat e njeriut tash e katër vjet monitoron luftën civile në Siri nëpërmjet rrjetit të aktivistëve në terren.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e sotëm, transmeton REL.

Kryengritësit sirianë kanë ndërmarrë sulme të ngjashme me makina-bomba në të kaluarën.

Njëherësh, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, sot i ka ndërmarrë së paku pesë sulme ajrore kundër militantëve të “Shtetit Islamik”, të cilët e kishin sulmuar qytetin kurd Kobane në Siri, afër kufirit me Turqinë.