Në gjykimin e Arben Bashotës, Prokuroria kërkon masë të sigurisë për pronën 10-hektarëshe

Në gjykimin e Arben Bashotës, Sylejman Bajramit e Osman Bajramit, të cilët akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, është mbajtur seancë gjyqësore në lidhje me shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë – urdhrin ndalues në lidhje me pronën në sipërfaqe prej dhjetë hektarësh, e cila njëherësh është objekt…

Lajme

14/06/2018 21:07

Në gjykimin e Arben Bashotës, Sylejman Bajramit e Osman Bajramit, të cilët akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, është mbajtur seancë gjyqësore në lidhje me shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë – urdhrin ndalues në lidhje me pronën në sipërfaqe prej dhjetë hektarësh, e cila njëherësh është objekt i kësaj aktakuze, kërkesë kjo e ushtruar nga prokurorja speciale Merita Bina-Rugova.

Prokurorja speciale në seancë gjyqësore deklaroi se ka bërë kërkesë për caktim të masës së sigurisë, urdhrit ndalues për pronën në sipërfaqe dhjetë hektarë, e cila është objekt i aktakuzës për arsye se, sipas saj, ajo posedon një raport të Policisë sipas të cilit thuhet se i akuzuari Arben Bashota përkundër shqyrtimit gjyqësor që është duke u zhvilluar, ai rregullisht ka shkuar në Komunë dhe ka provuar që ta tjetërsojë këtë pronë.

“Prokuroria posedon një raport të Policisë sipas të cilit i akuzuari Arben Bashota rregullisht shkon në Komunë, në zyrat e personave të Departamentit kadastral dhe kërkon të drejtën për të tjetërsuar pronën. Konsiderojmë se ky veprim është i pafalshëm posaçërisht duke marrë parasysh faktin se ende zhvillohet shqyrtimi kryesor, andaj konsiderojmë se është e domosdoshme kjo masë për ta parandaluar të akuzuarin që të përfundojë veprën të cilën vazhdimisht është duke e kryer që disa vite”, deklaroi prokurorja.

Prokurorja po ashtu tha se në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor , Prokuroria dhe AKP-ja si palë e dëmtuar do të kërkojnë anulimin e veprimeve juridike me anë të të cilave janë bërë ndryshime në librat kadastralë në atë mënyrë që pronësia e tokave ka kaluar në emër të disa personave të afërm me të akuzuarit, ngase sipas prokurores ato kontrata të shitblerjes janë të falsifikuara.

“Duhet po ashtu të marrim parasysh se në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor AKP-ja si palë e dëmtuar por edhe Prokuroria do të kërkojë anulimin e veprimeve juridike, në fakt ndryshimin i cili është bërë në librat kadastralë kur pronësia mbi këtë tokë ka kaluar nga ndërmarrja “Bujqësia” në emrat e disa personave të afërta me të akuzuarit”, tha ajo.

“Një prej provave të propozuara në aktakuzë është raporti i forenzikës sipas të cilit kontratat e shitblerjes janë të falsifikuara andaj konsiderojmë se është e domosdoshme që të parandalohet tjetërsimi i pronës në fjalë”, tha prokurorja speciale Bina-Rugova.

Këtë kërkesë të prokurores speciale e kundërshtoi mbrojtësja e të akuzuarit Arben Bashota, avokatja Aurora Mulhaxha, e cila deklaroi se i mbrojturi i saj fare nuk është pronar i i atyre pronave dhe se personat që i posedojnë këto prona nuk janë të afërt me të akuzuarin.

“E kundërshtoj në përgjithësi kërkesën e Prokurorisë për lëshimin e urdhrit ndalues në lidhje me ngrirjen e përkohshme të aseteve. I mbrojturi im dhe asnjëri nga të akuzuarit e tjerë nuk janë pronarë të pronës dhe nuk ekziston fare arsyetimi i prokurores se pronarët janë të afërm me të akuzuarin Arben”, tha avokatja Mulhaxha.

Ajo tutje shtoi se sa i përket pretendimit të Prokurorisë se kontratat e shitblerjes mbi pronat në fjalë janë të falsifikuara, në lidhje me këtë çështje prokurori i rastit ka hequr dorë nga kjo vepër penale.

“Sa i përket kontratave për të cilat prokurorja e çështjes mendon se janë të falsifikuar ajo çështje është çështje e gjykuar me vendim të formës së prerë nga e cila pjesë ka hequr dorë vetë prokurori i çështjes”, deklaroi mbrojtësja e Arben Bashotës.

Në lidhje me këto pretendime të Prokurorisë avokatja Mulhaxha i dorëzoi gjykatës prova me anë të të cilave tha se vërtetohet se i mbrojturi i saj nuk është pronar i ngastrës kadastrale në fjalë dhe se sipas saj “Me asnjë të drejtë ligjore e as logjike nuk mund t’i ngrihet prona një personi tjetër për shkak se një person ende është duke u akuzuar”, me ç’rast i kërkoi Gjykatës që kërkesa e Prokurorisë të hidhet si e pabazuar.

Kundërshtimet e mbrojtëses së të akuzuarit Arben Bashota i mbështetën edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë.

“Konsideroj se ai urdhër është jashtëligjor sepse domethënien e veprimit nga urdhri ndalues mund të konkludohet se qytetari nuk paska të drejtë të interesohet për pronën e vet apo si i autorizuar i pronarit. Unë konsideroj se ky është një absurd juridik i palejueshëm”, tha avokati Sokol Dobruna, mbrojtës i të akuzuarit Osman Bajrami.

“Qëndrimi i Prokurorisë si në kërkesën e ushtruar me shkrim ashtu edhe sot verbalisht prezantuar në Gjykatë sipas mbrojtjes është jolëndore dhe s’ka të bëjë me akuzën për çka është caktuar dhe mbahen shqyrtimet. Këtë kërkesë ta hidhni si jolëndore, urdhëresën ta refuzoni dhe të vazhdojmë me shqyrtimin në lidhje me këtë çështje gjyqësore”, tha avokati Haxhi Millaku.

Në këtë rast Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, po akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave./Kallxo.com