Në gjurmë të dokumenteve britanike për shqiptarët (I)

Pothuaj në çdo dokument Kosova dhe Dibra (me të cilin emër përfshiheshin territoret shqiptare të Maqedonisë) paraqiten si territore të banuara në mënyrë dominuese me shqiptarë dhe se kufijtë e pranishëm pak a shumë janë në raport me kufijtë etnikë. Sipas britanikëve, e tërë ajo që mund të thuhej në lidhje me këta kufij është element i fortë etnografik dhe përcaktim, po ashtu, i fortë i shqiptarëve, jo vetëm për të ushtruar influencë brenda këtyre kufijve, por edhe për t’i mbrojtur tokat. Çështja e Kosovës ishte e rëndësisë vitale për shqiptarët.

Opinion

31/07/2016 20:02

Prof. Dr. Haqif MULLIQI, Daut DAUTI, Phd can.

– Gjatë viteve 1943 dhe 1944 Britania e Madhe nuk e kundërshtonte idenë që Kosova dhe Dibra të ishin në përbërje të Shqipërisë së ardhshme.

1) Në fillim të vitit 1940, para se Italia të futej në luftë WO (Ministria e Luftës e Britanisë së Madhe), mori përsipër ta ndihmonte organizimin e rezistencës në Shqipëri. Shërbimi SIS (Shërbimi Sekret Informativ i B. së Madhe) në seksionin D përfshinte Shqipërinë. Ky seksion udhëhiqej nga zoti Julian Emery, i cili në këtë kohë gjendej në Jugosllavi, prej nga mëtohej depërtimi në Shqipërinë e okupuar nga Italia fashiste që nga prilli i vitit 1939. Ky veprim u përqendrua në tri punkte. Punkti i parë ishte Mali i Zi, prej nga depërtohej në Shqipërinë e Veriut, e i cili punkt drejtohej nga Jovan Gjinoviqi. Punkti i dytë ishte ai i Kosovës dhe udhëhiqej nga Gani bej Kryeziu. Ndërsa, në Maqedoni, në punktin e krijuar vepronte kolonel Kokoshi, i cili e kishte selinë në Direr. Kështu u krijua një gjysmëhark rreth kufirit të Shqipërisë, i cili ishte kusht i domosdoshëm i mbledhjes së informatave nga të cilat do të përfitonin edhe oficerët e misionit ushtarak britanik të cilët më vonë do të paraqiteshin në Shqipëri.

Kështu gjatë vitit 1941 në Londër arrinin raporte të shpeshta të cilat flisnin së shqiptarët ndërmerrnin aksione të ndryshme kundër forcave okupuese fashiste. Gjatë po këtij viti në Foreing Office (Ministrinë e Jashtme të B. së Madhe) nisën të arrinin lera të shumta nga personalitetet e shumta të cilat sugjeronin qeverinë e këtij vendi se do të duhej të bëhej të paktën një deklaratë nga e cila do të inkurajoheshin shqiptarët. Mirëpo, Qeveria e Lartmadhërisë së Tij nuk ndërmori ndonjë veprim që t’i kënaqte sadopak ata që i shkruanin. Gjatë po të njëjtit vit (1941) ishte e hetueshme edhe një formë e presionit e cila i bëhej Londrës për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe sovranit të saj, Mbretit Zog. Por Londra nuk u nënshtrohej këtyre formave të trysnisë dhe nuk e përfillte dot asnjërën nga këto dy kërkesa.

Mirëpo, sipas dokumenteve të Foreign Office-s, duket së çështja e pavarësisë së Shqipërisë nga ana e qeverisë së Britanisë së Madhe nisi të lëvizë diku nga muaji tetor i vitit 1941. Kryesuesi i Departamentit Jugor, zoti Pierr Dikson, më 9 tetor të vitit 1941 deklaron: “Gjatë kësaj kohe është plotësisht e pamundshme të vendoset së a do të jetë e këshillueshme që të krijohet një Shqipëri e pavarur ose jo, dhe së a do të ketë rëndësi parimi etnik në fund të kësaj lufte”.

Raporti i Diksonit tutje përshkruhet nga pasiguritë e shumta të cilat i imponuan faktorët e ndryshëm në raport me këtë çështje, kështu që ai i preferon qeverisë britanike që lidhur me këtë çështje të mos ngatërrohet me qeverinë e Greqisë dhe të Jugosllavisë. Mirëpo, kur ministri i jashtëm britanik, zoti Entoni Idën, nga fundi i vitit 1941 vizitoi Moskën, atëherë çështja e pavarësisë së Shqipërisë sikur nisi të qartësohet. Traktati anglo-sovjetik përfundoi në Londër me 26 maj të vitit 1942 me rastin e vizitës që i bëri Molotovi kryeqendrës së Mbretërisë së Bashkuar. Pika kyçe rreth së cilës u morën vesh këto dy shtete ishte “pakti njëzetvjeçar për ndihma reciproke, por i cili tekst linte jashtë çfarëdo përmendjeje problemet rreth kufijve territorial”.

Por, me e rëndësishmja për shqiptarët nga ky takim i nivelit të lartë ishte fakti se njëra ndër pikat e traktatit të përmendur Shqipërinë e shihte si shtet të pavarur. Bazë tjetër që siguronte një lëvizje me të shpejtë dhe më të sigurte drejtë njohjes së shtetit shqiptar ishte edhe Karta e Atlantikut e gushtit të vitit 1941 nga e cila rezultonte edhe deklarata e Uashingtonit e 26 vendeve e 1 janarit të vitit 1942. Këto dokumente të rëndësishme premtonin vetëvendosjen dhe rivendosjen e sovranitetit për ato vende që ishin okupuar me forcë. Në bazë të kësaj, Abisinisë i që kthyer pavarësia. Mirëpo, përkundër këtyre dokumenteve, qeveria e Britanisë së Madhe manifestonte shqetësimet e saj në rastin e Shqipërisë, duke konsideruar së çështja e saj ishte një rast fare tjetër dhe mjaft i koklavitur.

Gjatë vitit 1942 Diksoni bëri edhe një raport i cili u miratua edhe nga Sër Aleksandër Kadogan, raport ky i cili në një masë të konsiderueshme frenoi aspiratat gllabëruese të Greqisë dhe të Jugosllavisë ndaj territoreve shqiptare. Raporti i Diksonit i vitit 1942 përbehej nga 5 pika. Me to parashihej që qeveria e Lartmadhërisë së Tij duhej të dilte me një deklaratë publike në lidhje me ardhmërinë e Shqipërisë. Kjo deklaratë duhej bërë në Parlament (në formë pyetje përgjigje), me ç’rast do të manifestoheshin simpatitë për fatin e shqiptarëve si viktima të fashizmit italian. Këtu, gjithashtu duhej deklaruar edhe për formën e regjimit dhe për qeverinë shqiptare, si një çështje për të cilën do të vendoste vetë populli shqiptar pas përfundimit të luftës.

Po ashtu theksohej se, para së të nxirrej kjo deklaratë, do të duhej informuar qeverinë greke dhe atë jugosllave, ndërsa pas nxjerrjes së saj do të duhej informuar për këtë edhe Mbretin Zog, por në atë mënyrë që ky këtë mos kuptohet si një përkrahje të drejtpërdrejtë për kthimin e tij në fronin e Shqipërisë, por që, nga ana tjetër, të mos kuptohet as si kundërshtim i një gjeje të tille, në mënyrë që çështja e tij të mbetet si një çështje e hapur deri atëherë kur ai të paraqitet vetë para popullit shqiptar, pra, pas përfundimit të luftës. Po ashtu, raporti i Diksonit parashihte që, nëpërmjet Bi-Bi-Si-së (BBC), të ushtrohej një e propagandë e cila do t’u jepte zemër lëvizjeve dhe rezistencës së shqiptarëve kundër italianeve.

2) Pas lëvizjeve dinamike që u bane në botë, e cila pothuaj e tëra ishte përfshirë në luftë dhe pas lëvizjeve të rezistencës që bëheshin në Shqipëri, veçmas duke pasur parasysh situatën në Ballkan, me 13 dhjetor të vitit 1942, qeveria britanike proklamoi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Madje u bë me dije së kjo njohje u bë në pajtim të plote me forcat aleate të luftës. Tri dite më parë (10 dhjetor 1942) sekretari amerikan i shtetit, zoti Kardell Hall, i premtoi popullit shqiptar ndihmën e ShBA-ve në luftën e tij për çlirim kundër okupatorit italian. Më 17 dhjetor të vitit 1942 ministri i jashtëm i Britanisë, z. Entoni Idën, në dhomën e komunave të Parlamentit të këtij shteti doli me këtë deklaratë: “Format e regjimit dhe të qeverisin që do të paraqiten në Shqipëri do të jenë çështje për të cilat populli shqiptar do të vendosë në fund të luftës, ndërsa çështja e kufijve të shtetit shqiptar do të jete çështje e cila do të trajtohet në Konferencën e Paqes”.

Më 18 dhjetor të këtij viti pavarësinë e Shqipërisë do ta njoh Bashkimi Sovjetik. Kjo situatë e posa krijuar kishte rëndësi kardinale jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për dy fqinjët e saj: Jugosllavinë dhe Greqinë. Por, edhe pse çështja e kufijve të Shqipërisë të vitit 1941 ishte e paqartë, megjithatë një gjë u sqarua plotësisht. Njohja e pavarësisë së Shqipërisë sikur i hodhi poshtë aspiratat e fqinjëve të pangopshëm të cilat i manifestonin madje edhe ndaj territorit të cilin Shqipëria e kishte brenda kufijve të vetë deri në vitin 1939.

(VIJON. Prof. Dr. Haqif Mulliqi është profesor në Universitetin e Prishtinës, kurse Daut Dauti është kandidat për studime të doktoraturës)