Në fund të javës shpallet konkursi për pranimin e studentëve të rinj

Konkursi për regjistrimin e studentëve në afatin e dytë në Universitetin e Prishtinës pritet të shpallet në fund të javës, ka bërë të ditur prorektori për Mësim në UP, Naser Sahiti. Sipas tij, më së shumti vende të lira në këtë afat ka në Fakultetin Ekonomik, por shtoi se me numër më të vogël konkurs do të ketë gati në të gjitha njësitë akademike.

Lajme

02/09/2018 16:56

Konkursi i regjistrimit të studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës, pritet të shpallet në fund të javës ku pritet të jenë rreth 4 mijë vende të lira.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën, prorektori për Mësim në UP, Naser Sahiti, i cili tha se konkursi është gati vetëm po pritet legjitimimi i tij nga ana e Senatit të UP-së e cila pritet të mbahet gjatë javës.

“Përgatitjet janë të përfunduara meqenëse ne ato përgatitje i kemi bërë qysh në afatin e korrikut, ne presim fluks më të zvogëluar, procedura është e njëjtë prandaj nuk ka asnjë vështirësi rreth pranimit të studentëve”, tha Sahiti.

Mirëpo, në këtë afat të regjistrimit prorektori Sahiti ka thënë se ka një rënie të theksuar të interesimit për studime, ndërsa vende të lira do të ketë pothuajse në të gjitha fakultetet.

“Numri më i madh i vendeve të lira aktualisht ka mbet në Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, Inxhinieri Mekanike, Bujqësi, Inxhinieri Elektrike por për dëgjuesit vlen të përmendet që pothuajse në të gjitha fakultetet ka vende të lira, prandaj kandidatët e ardhshëm, studentët e ardhshëm duhet të shikojnë me vëmendje konkursin kur të publikohet s enë cilat programe ka vende të lira”.

Afati i dytë për regjistrimin e studentëve të rij në UP do t’i ketë 7 ditë, derisa vlejnë të gjitha kriteret e afatit të parë. Në afatin e parë të konkursit ishin plotësuar rreth 55 për qind të vendeve të lira.