Në Facebook kalohet më pak kohë, por fitimet vetëm rriten

Përdoruesit e “Facebook”-ut kanë kaluar më pak kohë në këtë rrjet social, edhe para se ajo të njoftonte ndryshime të konsiderueshme në “News Feed”-in (kohështrirjen) e saj në janar.

Auto & Tek

02/02/2018 22:41

Masat e reja, si shfaqja e më pak videove virale, ka reduktuar kohën e kaluar në rrjetin social me 5 për qind, ose rreth 50 milionë orë në ditë, në 3 muajt e fundit të vitit 2017.

Sidoqoftë, Facebook ka raportuar rezultate më të mira nga ato që priteshin, pavarësisht kësaj rënieje. Shefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg tha se prioritet ishte inkurajimi i ndërveprimit më të madh personal mes përdoruesve.

“Të ndihmojmë njerëzit që të lidhen me njëri-tjetrin është më e rëndësishme sesa maksimizimi i kohës që ata kalojnë në Facebook. Ne mund të garantojmë që shërbimi është i përshtatshëm për mirëqënien e njerëzve dhe shoqërinë në përgjithësi”, deklaroi Zuckerberg, transmeton Top Channel.

Në janar, Facebook njoftoi se do të bënte ndryshime në “News Feeds” për t’i dhënë më shumë prioritet postimeve nga miqtë e familjarët dhe për t’i bërë përmbajtjet nga bizneset e mediet më pak të pranishme.

Numri i përdoruesve aktivë mujorë u rrit me 14 për qind, duke shkuar në 2.13 miliardë në 3 muajt e fundit të vitit, edhe pse rritja ishte disi më e ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Facebook, ndërkohë, njofton se të ardhurat vjetore të tij janë rritur me 47 për qind vitin e kaluar, duke shkuar në më shumë se 40 miliardë dollarë, ndërsa fitimet u rritën me 56 për qind, duke shkuar në afro 16 miliardë dollarë.