Në EULEX është humbur dëshmia e ish–prokurores Bamieh

Zyra e BE-së për luftë kundër mashtrimeve pritet të nisë hetime për EULEX-in. Së fundmi, misioni është hetuar me vetiniciativë nga Ombudspersoni, i cili ka gjetur shumë parregullsi në pretendimet për korrupsion dhe keqpërdorim në EULEX.

Lajme

11/12/2014 20:09

Ish-prokurorja, Maria Bamieh detajisht i ka raportuar drejtuesit të komponentës së Drejtësisë, Silvio Bonfigli, për pretendimet për korrupsion të stafit të tij. Sipas avokatit të BE-së EULEX-i e ka humbur raportin dhe nuk i kërkoi asnjëherë një kopje ish-prokurors Bamieh, e cila e denoncoi rastin në maj të vitit 2012, raporton KTV.

KTV-ja ka pyetur në EULEX se si është e mundur që një raport i rëndësisë së tillë të zhduket, por nga Zyra për Media kanë thënë se nuk dëshirojnë të flasin. “Misioni nuk mund të komentojë. Ju këshilloj të kontaktoni zyrën e Ombudspersonit”, ka thënë Dragana Nikolic-Solomon.

Tash edhe një institucion tjetër evropian do të merret me EULEX-in. Përfaqësuesi i Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Keneth Dean ka thënë në një debat në Komisionin për kontroll buxhetor të Parlamentit Evropian, se ata nuk do të lënë asnjë gur pa rrotulluar për të sqaruar të gjitha dyshimet e paraqitura nga secili shtet individualisht.

Tashmë janë duke u zhvilluar disa hetime për pretendimet se në EULEX kanë qenë të përfshirë në korrupsion gjyqtarë e prokurorë, raporton KTV.