Në emër të privatësisë, shërbim edhe ISIS-it!

Agjencitë e mëdha teknologjike, në veçanti ato amerikane, janë bërë qendra të shfrytëzimit edhe nga ekstremistët. Edhe nga ISIS-i. Në emër të privatësisë, këto kompani po e dëmtojnë sigurinë kombëtare dhe globale. Prandaj debati për privatësinë është mirë të merr fund, sepse ka ardhur koha që të bëhen ndryshime.

Bota

04/11/2014 12:25

Këto akuza i ka bërë Robert Hannigan, shef i ri i Agjencisë qeveritare të komunikimit në Britaninë e Madhe (Government Communications Headquarters – GCHQ), që është një organizatë shtetërore e inteligjencës dhe sigurisë, tashmë e fokusuar në “rregullat e komunikimit masiv”, për të mbajtur një mjedis të sigurt kombëtar.  

Duke folur për “Financial Times”, Hannigan ka thënë se disa kompani amerikane të teknologjisë e kanë kuptuar rrezikun e qasjes në të dhëna nga ekstremistët dhe kanë filluar tashmë të mos e mohojnë se shërbimet e tyre janë duke u keqpërdorur.

Hannigan ka thënë për të mbajtur të sigurt Britaninë e Madhe, agjencive të saj të sigurisë kombëtare u nevojitet edhe mbështetja nga kompanitë e mëdha të teknologjisë informative në vend, por edhe në Shtetet e Bashkuara, të cilat mbizotërojnë në ueb.

Duke ua përkujtuar se grupet ekstremiste në Siri dhe Irak e kanë “përqafuar uebin”, si mundësi për të frikësuar popullin, për të nxjerrë të dhëna dhe për të çuar përpara kauzën e tyre,  Hannigan ka thënë se firmat e mëdha të internetit duhet të punojnë më ngushtë me shërbimet e inteligjencës.

“E di që dikujt mund të mos i pëlqejë, por privatësia nuk ka qenë kurrë një e drejtë absolute.  Ato (kompanitë amerikane të teknologjisë) janë bërë si qendra komanduese të rrjeteve terroriste dhe të kriminalitetit, pasi i shfrytëzojnë shërbimet në ueb, dërgimin dhe marrjen e të dhënave pa asnjë pengesë”.  

“Sfida për qeveritë dhe agjencitë e tyre të inteligjencës është shumë e madh – dhe kjo mund të tejkalohet vetëm me bashkëpunim më të madh nga kompanitë e teknologjisë”, ka thënë Hannigan, transmeton lajmi.net.

“GCHQ dhe agjencitë e saj simotra, MI5 dhe Shërbimit Informativ Sekret, nuk mund të trajtojnë këto sfida në shkallë të lartë pa mbështetje të madhe nga sektori privat, duke përfshirë pra edhe kompanitë më të mëdha të teknologjisë amerikane të cilat mbizotërojnë në ueb”.  

Debati nëse agjencitë e sigurisë duhet të lejohen për të hyrë në të dhënat personale nëpër faqet sociale, rrjeteve si Google dhe Facebook, u ndez në vitin 2013, pasi kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara, Edward Snowden, nxori dhe publikoi dokumente sekrete pa mundësinë për ta penguar, në emër të “privatësisë” në ueb dhe rrjetet sociale.

Snowden, të cilit Rusia i ka ofruar azil të përkohshëm, përballet me akuza për spiunazh mbi veprimet e tij dhe nëse kapet nga autoritetet amerikane, rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

Prandaj, drejtori i ri i GCHQ është vënë në lëvizje sapo ka marrë pozitën, duke bërë të ditur se për Britaninë e Madhe është interes kombëtar që kompanitë e teknologjisë së lartë të bashkëpunojnë me qeverinë.

Pas rastit Snowden, disa nga kompanitë teknologjike e kanë kuptuar situatën, por të tjera, në veçanti kompanitë e mëdha, kanë qenë më pak të gatshëm të ndajnë të dhënat me agjencitë e inteligjencës, në njëfarë mënyre, kanë qenë më të gatshme t’i ikin edhe më shumë zbatimit të ligjit.  

Por Hannigan, pa humbur aspak kohë, e ka bërë të qartë se do t’i futet “luftës” që bëhet në emër të privatësisë me qëllim që as organizata terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS) dhe as organizatat tjera të kriminalitetit të mos mund t’i qasen uebit me lehtësi, sikur të ishte “kanal” i tyre.  

Brent Hoberman, themelues i kompanisë “lastminute.com”, ka thënë se duhet të bëhet një kompromis.

“Ne kemi nevojë për më shumë besim në shërbimet e sigurisë. Jam dakord, pasi, shembull, e di që ka  pasur shumë njerëz që kanë pasur qasje në dosjet e Snowdenit, rreth 800,000, e që kaq mundur të pengohet”.

“Prandaj, nëse do të kishim besim të mjaftueshëm se agjentët do të interesohen vetëm për rastin e caktuar, pra me një urdhër specifik për një rast të kufizuar, atëherë unë do të doja që shërbimet e sigurisë së vendit tim të jenë në gjendje për të marrë në telefon dhe të kërkojnë qasje”.

Por Rachel O’Connell, një ish-zyrtare e lartë i sigurisë së rrjetit social Bebo, thotë se shërbimet e sigurisë janë duke marrë një “pozicion të polarizuar” që prej rastit “Snowden”, ku ne kemi dyshuar dhe kuptuar se shërbimet e sigurisë përpiqen të kenë qasje të plotë ndaj çdo gjëje që ndodh në internet.

“Dhe kjo është një situatë e paqëndrueshme në qoftë se flasim për një vend demokratik”, ka thënë O’Connell.

Më parë gjatë vitit një hetim nga Guardian zbuloi se si Shteti Islamik është duke përdorur “hashtags” për të vënë në qendër të vëmendjes materialin e tij të plasuar në Twitter (hashtags lejon grupimin e mesazheve të etiketuar në mënyrë të ngjashme, dhe gjithashtu lejon kërkimin elektronik dhe grumbullimin e të gjitha mesazheve që përmbajnë një temë të caktuar).

James Brokenshire, ministër i Sigurisë në Britaninë e Madhe, është takuar kohën e fundit me përfaqësuesit e kompanive të teknologjisë – duke përfshirë Google, Microsoft dhe Facebook – në Luksemburg, për të diskutuar problemin e ekstremizmit dhe përfaqësimit të tij në internet.

Njësia qeveritare Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Scotland Yard po ashtu kanë hequr rreth 50 mijë materiale, përfshi edhe video të ekstremistëve, që nxisin akte të dhunshme dhe terroriste. /lajmi.net/