Në dy vjet vetëm dy njohje

Nga dhjetori i vitit 2014 kur Hashim Thaçi u emërua ministër i Punëve të Jashtme, Kosovën e ka njohur vetëm një shtet i pranuar në OKB dhe dy mikroshtete. Sipas opozitës dhe njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacia kosovare ka dështuar me Thaçin dhe zëvendësit e tij në MPJ.

Lajme

27/05/2016 08:10

Prejse në krye të diplomacisë kosovare erdhi Hashim Thaçi, tashmë president i Kosovës, diplomacia vendore ka shënuar regres. Për 15 muaj sa ka qëndruar si ministër i Punëve të Jashtme Thaçi ka sjellë vetëm një njohje nga një shtet anëtar i OKB-së, Antigua dhe Barbuda, si dhe dy njohje nga mikroshtetet joanëtare të OKB-së, Niue dhe Ishujt Cook.

Përveç kësaj, Thaçi sa qëndroi si shef i diplomacisë kosovare asnjëherë nuk shkoi në zyrën e tij në këtë Ministri, por qëndroi në objektin e Qeverisë duke e shfrytëzuar zyrën e zëvendëskryeministrit.

Ndërkaq, duke e parë që diplomacia nuk çon peshë në këtë strukturë qeverisëse ka tre muaj që nuk ka as ministër të Jashtëm, por vetëm zëvendësministër dhe ushtrues detyre. Sipas opozitës kosovare, në dy vjetët e fundit diplomacia ka dështuar në disa fronte, ndërsa për Qeverinë fitoret diplomatike janë të dukshme. /Zëri