Në dy shpërthime në Irak, 18 viktima

Zyrtarët në Irak kanë bërë me dije se si rezultat i shpërthimit të dy veturave bombë janë vrarë 18 persona dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë.

Bota

04/12/2014 18:40

Sipas zyrtarëve irakianë, njëra nga bombat ishte vendosur në një kompleks restorantesh, derisa tjetra në një treg.

Sulmi i parë, i cili, sipas zyrtarëve të policisë, kishte në shënjestër një kompleks restorantesh të vogla në lagjen shiite Sadr, ka lënë të vdekur 11 persona dhe plagosur 25 të tjerë.

Disa minuta më vonë ka ndodhur edhe shpërthimi i dytë, në të cilin janë vrarë shtatë persona dhe janë plagosur 21 të tjerë.

Zyrtarët shëndetësorë e kanë konfirmuar numrin e viktimave.

Sulme të tilla që kanë ngjarë së fundi në Irak, janë shkaktuat nga grupet ekstremiste të Shtetit Islamik, të cilët edhe kanë marrë nën kontroll një pjesë të madhe të Irakut verior dhe perëndimor.