Në dy aksidente me fatalitet, dy të vdekur

Në Karaçevë jetën e ka humbur këmbësorja F. Kastrati, lëndime trupore ka pësuar bashkëshorti i saj, B. Kastrati, kurse në aksidentin në Milloshevë e ka pësuar një udhëtar i autobusit, gjatë zbritjes nga automjeti.

Lajme

06/08/2014 18:55

Ismet Hashani, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit, tha për rajonipress se aksidenti në Karaçevë ka ndodhur të martën rreth orës 22 e 10 minuta.

Sipas Hashanit, aksidenti dyshohet se ka ndodhur kur drejtuesi i automjetit “Opel Zafira”, pa targa, banues në Karaçevë të Epërme, gjatë lëvizjes në aksin rrugor Muhovc-Karaçevë e Epërme, si pasojë e vozitjes së pakujdesshme dhe mospërshtatjes së shpejtësisë kushteve në rrugë (errësirë dhe kthesë e thellë), ka përplasur dy bashkëshortët.

Shoferi fillimisht është larguar nga vendi i ngjarjes, por pas një pune intensive nga ana e policisë së Kamenicës, është identifikuar automjeti dhe personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit është ndalur në mbajtje prej 48 orëve.

Policia e Kosovës raporton edhe për rastin që ka ndodhur të martën  në fshatin Milloshevë, konkretisht në magjistralen Prishtinë –Mitrovicë, ku e ka humbur jetën një person.

Sipas njoftimit, aksidenti fatal ka ndodhur derisa njëri udhëtar ka zbritur nga autobusi, me ç’rast ai ka pësuar lëndime trupore. Udhëtari është dërguar në Emergjencën e Obiliqit, por mjeku kujdestar ka mundur vetëm të konstatojë vdekjen e tij.

Prokurori kujdestar ka urdhëruar që dy të dyshuarit, shoferi dhe konduktori i autobusit të dërgohen në mbajtje. Trupi i pajetë është dërguar në autopsi, ndërsa autobusit do t’i bëhet kontrollimi teknik.