Në dhjetor janë rritur çmimet

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Konsumit“ (IÇK) për muajin dhjetor 2013.

Lajme

14/01/2014 19:29

Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Konsumit në Kosovë për muajin dhjetor 2013 është më i lartë për 0,3%, krahasuar me muajin nëntor 2013. Shkalla e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2013 krahasuar me muajin dhjetor 2012 ishte 0,5%.

Ngritje e Indeksit të Çmimeve të Konsumit vërehet te nëngrupet: perime (6,2%), bukë dhe drithëra (1,3%), qumësht, djathë dhe vezë (1,0%) me një ndikim të përbashkët prej 0,4 % në IÇK-it.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e Indeksit të Çmimeve të Konsumit te nëngrupi: pemë (-3,7%) me një ndikim prej -0,1 % në IÇK-it.

Çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 0,5% në muajin dhjetor 2013 krahasuar me muajin dhjetor 2012. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: mish (4,3%), pemë (6,1%), veshje (3,2%), duhan (3,5%), këpucë (4,9%), orendi dhe aparatura, qilima dhe shtroja të tjera për dysheme (3,3%), shërbime hoteliere (3,3%), shërbime bankare (35,5%) me një ndikim të përbashkët prej 1,5 % në IÇK-it.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-8,1%), vajra dhe yndyra (-11,6%), sheqer dhe ëmbëlsira (-5,1%), përdorimi i pajisjeve për transportin personal-(naftë dhe benzinë) për (-2,1%), me një ndikim të përbashkët prej -1,0 % në IÇK-it.