Në Deçan, Mamushë, e Han të Elezit nesër rifillon mësimi

Pas Junikut e Vitisë, edhe Deçani, Hani i Elezit e Mamusha do të bojkotojnë grevën e SBASHK-ut.

Lajme

20/01/2019 22:54

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka marrë vendim që të vazhdojë greva e mësimdhënësve pavarësisht se Qeveria ka vendosur që t’ua rrisë pagat mësimdhënësve, raporton lajmi.net.

Mirëpo kundër këtij vendimi të SBASHK-ut deri më tani kanë dalë pesë komuna të vendit.

Pas Junikut e Vitisë, bojkotit të SBASHK-ut i janë bashkuar edhe Komuna e Deçanit, Hanit të Elezit dhe ajo e Mamushës, raporton më tutje lajmi.net.

Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se është takuar me përfaqësues të Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), dhe kanë marrë vendim që nesër të fillojë procesi mësimor.

“Sonte në ora 21:00, së bashku me drejtorin e DKA-së, takuam në zyrën time drejtorët e shkollave të Komunës së Deçanit. Në këtë takim të jashtëzakonshëm u dakorduam që nesër të fillojmë me procesin mësimor. Ftoj të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit që të jenë në objektet shkollore sipas orarit të rregullt”, ka njoftuar Ramosaj në Facebook, shkruan më tutje lajmi.net.

Ramosaj po ashtu ka ftuar nesër në ora 08:00 e mëngjesit në një takim edhe Këshillin Grevist dhe përfaqësuesit e SBASHK-ut.

“Kurse për nesër e hënë dt.21.01.2019, kam ftuar Këshillin Grevist dhe përfaqësuesit e Sindikatës në ora 8:00 të jenë në takim në zyrën time, me qëllim ta tejkalojmë këtë situatë e cila pas deklaratës së Kryeministrit Haradinaj është e pa pranueshme të vazhdojë”, ka shkruar Ramosaj.

Edhe Komuna e Hanit të Elezit u ka kërkuar mësimdhënësve që të rinisin mësimin.

Drejtori i Drejtorisë për Arsim Kulturë Rini e Sport në këtë komunë, Menduh Vlashi thotë se pas rritjes së pagave për mësimdhënësit nga ana e Qeverisë së Ramush Haradinajt mësimi duhet të rifillojë.

“Drejtoria për Arsim Kulturë Rini e Sport e Komunës së Hanit të Elezit, pas reflektimit pozitiv të Qeverisë për rritje të pagave, kërkojmë nga mësimdhënësit dhe nxënësit e Komunës tonë që të rifillojë mësimi, me qëllimin më të mirë për mos humbjen e orëve të mësimit nga fëmijët tanë. Ne si institucione komunale jemi të përkushtuar së bashku me ju dhe të gjithë akterët që të mos dëmtohet procesi mësimor”, tha Vlashi.

Në anën tjetër edhe Abdulhadi Krasnic, kryetari i Mamushës, ka thënë se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për mësimdhënësit mësimi në komunën që ai e udhëheq do të fillojë nesër.

“Pas vendimit të kryeministrit të Republikës se Kosovës se do të rriten pagat e arsimtareve të Republikës së Kosovës, njoftohen të gjithë arsimtar dhe nxënësit e shkollës fillore “Anadollu” dhe gjimnazit “Atatürk” se mësimi në Komunën e Mamushës do të fillojë me datën 21.01.2019 të hënën”, ka shkruar Krasnici, sh kruan më tutje lajmi.net.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro në vit për të gjithë mësimdhënësit, por ky vendim i Qeverisë nga SBASHK-u po shihet si jo i drejtë pasi që siç thonë në SBASHK, ky vendim nuk i përmbush kërkesat e tyre.

Sipas SBASHK-ut vendimi që ka marrë kryeministri Haradinaj është vetëm 10 për qind e koeficientit të mësimdhënësve dhe jo 30 për qind siç po kërkojnë ata dhe prandaj edhe kanë vendosur që ta vazhdojnë grevën.

Por, deri më tani janë pesë komuna që e kanë kundërshtuar vendimin e SBASHK-ut dhe e kanë përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës. /Lajmi.net/