Në Bruksel për zgjedhjet

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit takohen sot në Bruksel, edhe një herë, për të diskutuar lidhur me procesin zgjedhor të zgjedhjeve lokale.

Lajme

30/10/2013 08:35

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel për të diskutuar lidhur zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, tri ditë para se të hapen kutitë e votimeve.

Grupet Punuese nga Prishtina dhe Beogradi do të zhvillojnë sot raundin e radhës së bisedimeve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, në të cilin palët do të bisedojnë për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes për zgjedhjet.

Siç është njoftuar, do të bëhet vlerësimi i procesit për javën e fundit të fushatës zgjedhore, e po ashtu do të diskutohet për të arriturat e palëve në plotësimin e obligimeve për zbatim.

Delegacioni i Republikës së Kosovës kryesohet nga Qemajl Marmullakaj, Koordinator i Grupit Punues të Zgjedhjeve, ndërsa në përbërje të delegacionit janë edhe Shukri Sylejmani, Kryetar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Arjeta Rexhaj, këshilltare e Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, si dhe Frymëzim Isufaj nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel.