Në Bruksel për Gjykatat në Veri

Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic takohen nesër në Bruksel, në kuadër të takimeve të ndërmjetësuara nga Baronesha Ashton për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Temë qendrore e takimit do të jenë Gjykatat në Veri.

Lajme

26/01/2014 15:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, do të takohen, sërish, nesër në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, me fokus normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjykatat në Veri do të jenë temë qendrore e këtij takimi, ku gjithashtu do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash, siç janë Marrëveshja e 19 prillit, marrëveshja për telekomunikacionin, energjinë etj.

Po ashtu, në takim do të trajtohen edhe çështjet e mbetura të hapura deri tash, si gjyqësia, themelimi i Asociacionit të Komunave, etj.

Pala serbe pritet që të insistojë që në takimet e radhës të diskutohet edhe për pronën, statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe trashëgiminë kulturore në Kosovë.

Nga bashkësia ndërkombëtare duket se ka një disponim për të përmbyllur disa nga çështjet kryesore që kanë mbetur të hapura sa më shpejt, pasi dialogu pritet të ndërpritet për shkak të zgjedhjeve nacionale që do të mbahen në Kosovë dhe zgjedhjeve të parakohshme që po përmenden si një opsion i mundshëm në Serbi.

Kryeministri Dacic ka thënë ditë më parë se arritja dhe zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë prioritet, pasi që, sipas tij, në Kosovë do të ketë zgjedhje të përgjithshme, për çka duhet të krijohen kushte për pjesëmarrjen e serbëve në to.