Në BE, kokëdhembje nga Maqedonia!

Eurokomisioneri për zgjerim dhe politika fqinjësore, Johanes Hahn ka deklaruar se situata në Maqedoni është tejet serioze dhe po shkakton kokëdhembje në Bashkimin Evropian (BE).

Lajme

07/05/2015 08:30

Ai këtë shqetësim e ka shprehur për agjencinë shtetërore MIA, duke apeluar të gjithë faktorët relevantë në vend për gjetjen e një zgjidhje politike dhe juridike të problemeve me të cilat po ballafaqohet Maqedonia.

“Situata është tejet serioze dhe po na shkakton kokëdhembje. Është e papranueshme të ketë situata ku opozita nuk është në Kuvend, ndërsa ekzistojnë edhe përgjimet, që kërkojnë hetime të thella. Andaj lusim të ketë trajtim politik të kësaj çështje në Kuvend me themelimin e Komisionit për hetime, por të ketë edhe hetime të mëtejme për rastin kriminal të kësaj çështje. Mendoj se këto janë parakushtet për vendin në rrugën e saj drejt BE-së”, ka thënë komisionari Hahn.

Eurokomisioneri Hahn përsëriti kërkesën që  të gjitha palët politike në vend të marrin përgjegjësitë e tyre për gjetjen e zgjidhjes, duke rivendosur dialogun politik dhe kthimin e besimit te institucionet.

Në këtë aspekt ai nënvizoi edhe nevojën e shmangies së tensioneve politike dhe ndëretnike, transmeton agjencia e lajmeve Ina.

Ndërsa, lidhur me rastin e përgjimeve, ai kërkoi hetime nga organet kompetente.

Eurokomisionari  Hahn nuk deshi të saktësojë nëse kriza aktuale do të lë vendin pa rekomandimin për fillimin e bisedimeve me BE-në, por vetëm theksoi se ende ka kohë dhe njerëzit e përgjegjshëm janë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhet Maqedonia.