“Në Ballkan kufijtë do të ndryshojnë herët apo vonë, SHBA nuk e përkrah Ushtrinë e Kosovës”

Ish-shefi i CIA-s për Ballkanin, Steven Meyer ka thënë se në Ballkan do të ketë ndryshim të kufijve herët apo vonë.

Lajme

28/05/2017 14:05

Në një intervstë për gazetën serbe Novosti, Meyer ka thënë se ky ndryshim do të bëhet në Maqedoni dhe në Kosovë.

Sipas tij për këtë fajtor janë Bashkimi Evropian i cili nuk po mundet të gjejë zgjidhje, dhe SHBA e cila nuk është e interesuar sa duhet për këtë zonë të Evropës, transmeton lajmi.net

“Bosnja e Hercegovinë është larg të qenit një shtet i bashkuar. Çështja e Kosovës po bëhet gjithnjë e më serioze, kurse në Maqedoni gjithashtu ka rënie. Në të njejtën kohë BE-ja nuk ka ndonjë përgjigje për këtë situatë”, tha ish-shefi i CIA-s.

“Megjithatë është e rëndësishme të dihet se Uashingtoni dhe Trump nuk është i interesuar në Ballkan dhe nëse një ndryshim ndodhë nuk do të reagojë, sidomos nëse bëhen në mënyrë paqësore”, tha Meyer.

Ai gjithashtu foli edhe për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, ku tha se Amerika nuk është duke e mbështetur këtë proces.

Ish-shefi i CIA-s e ka vlerësuar krijimin e Ushtrisë me rrezikshmëri të lartë sipas tij në një situatë të paqëndrueshme në rajon.

“Kjo është një mundësi e vërtetë për rrezik në veri të Kosovës”, shtoi ai.

Meyer krejt në fund komentoi edhe raportet SHBA-Rusi, ku tha se ato janë mjaft të tensionuara sidomos për shkak të gjendjes në Ukrainë dhe Siri. /Lajmi.net/