Në Adriatik gjithnjë e më shumë peshq vdekjeprurës

Një nga peshqit më helmues në botë – fugu, është zënë nga një peshkatar në afërsi të Dubrovnikut. Bëhet fjalë për një lloj peshku jashtëzakonisht helmues, konsumi i të cilit shkakton paralizë dhe vdekje.

Lajme

06/05/2015 23:17

Kapja e këtij lloji peshku u vërtetua edhe nga Instituti or oqeanografi dhe peshkim në Split, që thekson se helmi i tij është 1,25 herë më vdekjeprurës sesa cianidi. Kjo është hera e dytë vetëm sivjet që në detin Adriatik zihet një lloj i tillë peshku.

fugu2

Peshku fugu e ka prejardhjen nga Oqeani i Indisë, kurse në Adriatik ka arritur përmes Detit Mesdhe, përkatësisht kanalit të Suezit, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe rritjes së temperaturave të detit.

Ekspertët e Institutit në Dubrovnik thonë se ky peshk është gjithnjë e më i pranishëm në Adriatik, ndërsa në Mesdheun lindor është bërë një nga llojet dominuese të peshkut, shkruajnë mediat kroate, transmeton lajmi.net.

Ekspertët paralajmërojnë për nevojën e edukimit emergjent pasi që bëhet fjalë për një lloj vdekjeprurës. Madje, jo vetëm konsumimi i mishit të tij, por edhe kapja e thjeshtë me dorë mund të shkaktojë probleme, andaj preferohet që të përdoren dorezat.

Megjithëse bëhet fjalë për një peshk jashtëzakonisht helmues, mishi i tij tash e shumë shekuj paraqet një specialitet në tryezën japoneze. Mirëpo, atë mund ta përgatisin vetëm kuzhinierët të cilët kanë kaluar aftësimin disa vjeçar për përgatitjen e tyre dhe për këtë përfitojnë licencë përkatëse.

Gjatë viteve të fundit industria farmaceutike po tregon interesim gjithnjë e më të madh për grumbullimin e këtij helmi të quajtur tetrodoksin.