Në 6 universitete publike të Kosovës sivjet regjistrohen 15 mijë studentë

Gjashtë universitetet publike në Republikën e Kosovës, në vitin akademik 2015/2016, në nivelin e parë të studimeve do t’i regjistrojnë 15515 studentë. Kjo është shifra që është miratuar nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASht) pas propozimeve të marra nga universitetet publike në Kosovë.

Lajme

07/07/2015 08:52

Divizioni për Komunikim me Publikun i MASht-it, në përgjigjen me shkrim për “Epokën e re”, ka thënë se në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në vitin akademik 2015/2016, në nivelin e parë të studimeve, do të regjistrohen 7880 studentë, prej të cilëve 7330 të rregullt dhe 550 studentë me korrespodencë.

“MASht-i e ka zvogëluar numrin e studentëve të propozuar nga Senati i Universitetit të Prishtinës për 270 studentë. Krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2014, këtë vit numri i studentëve që do të pranohen në vitin e parë të studimeve për nivelin e parë në Universitetin e Prishtinës është zvogëluar për 2724 studentë”, është thënë në përgjigjen e këtij divizioni.

Ndërsa, në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë në vitin akademik 2015/206 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 2203 studentë.

Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren në vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 2115 studentë.

Kurse në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë në vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 560 studentë.

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë në vitin akademik 2015/206 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 1242 studentë. /Epoka e re