Në ​Prizren u protestua për vdekjen e Xhenetës

Qytetarët e Prizrenit kanë protestuar të mërkurën duke kërkuar drejtësi për vdekjen e trevjeçares Xheneta Gashi, e cila u mbyt nga rrënojat e një ndërtese të vjetruar në këtë qytet.

Lajme

15/06/2016 16:10

Protestuesit thanë se kërkojnë dorëheqjen e zyrtarëve përgjegjës për këtë tragjedi dhe dhënien e dënimit të merituar për ta.

Hajrullah Çeku tha se kundërshtimi i këtyre institucioneve fillon sot dhe nuk do të ndalet deri sa këta përgjegjës të japin llogari.

“Kërkojmë dorëheqje nga kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, ministri i Kulturës Kujtim Shala dhe ministri Ferid Agani, kërkesa jonë e dytë është përgjegjësi penale për ët gjithë ata zyrtarë të institucioneve që me mosveprimin tyre e kanë shkaktuar tragjedinë e javës së kaluar. Kërkojmë nga organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtoj me prioritet dhe ti japin dënimin merituar të gjithë atyre që e kanë neglizhuar obligimin ligjor dhe me mosveprimin e tyre e kanë shkaktuar këtë tragjedi. Ne nuk guxojm? ? të shijojmë që të kemi institucione të tilla të papërgjegjshme. Ne mendojmë që ky është momenti i fundit dhe rasti i javës së kaluar do të na shërbej si një pikë kthese për tu mobilizuar dhe për të kërkuar përgjegjësi prej institucioneve, ky është momenti prej të cilit duhet të nisemi dhe mos ta ndalim veprimin deri s atë gjithë ata që janë përgjegjës për këtë tragjedi japin llogari”, ka deklaruar Çeku.

Kurse, Ismet Kryeziu ka deklaruar se qytetarët e Prizrenit janë duke u sunduar nga pushteti.

“Po e shihni që prezenca juaj .. po e shihni që qytetarët e Prizrenit sot mungojnë këtu, po e shihni që mungesa e tyre tregon se në çfarë sundimi jetojmë, po e shihni se këtu nuk kemi pushtet në shërbim të qytetarëve por kemi sundues që sundojnë me ne, po e shihni që qytetarët e Prizrenit janë të kapur, qytetarët e Prizrenit sot nuk janë në mesin tonë, janë shumë pak në mesin tonë, por këta pushtetarë, këta që sot funksionojnë nga ky regjim që sot funksionon në Prizren dhe në Kosovë i mbështetur duhet ta dinë se edhe regjimet tjera kanë shkuar, edhe njerëzit, edhe politikanët edhe pushtetet nuk mbahen në mend për shumë gjëra, mbahen në mend për shumë gjëra të këqija, këta sot kanë mundësi me zgjedh, me zgjedh etikën, moralin, me zgjedh shkuarjen e tyre të ndershme sepse edhe bitë e tyre do t’i kujtojnë nesër për mungesën e ndërgjegjes, për mungesën e etikës, për përdhunimin që janë duke i bërë qytetarëve të qytetit dhe shoqërisë më gjerë”, tha Kryeziu.

Qytetarët e Prizrenit kanë protestuar të mërkurën për të kërkuar dorëheqje të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja pas vdekjes së tre vjeçares Xheneta Gashi javën e kaluar në Prizren nga shembja e një ndërtese të vjetër në këtë qytet.