Ndryshojnë temperatura, ky është parashikimi i motit për sot dhe ditët në vijim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave në vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm.

Lajme

11/02/2019 07:32

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se gjatë kësaj jave në vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm, me vranësira dhe herë-herë me reshje shiu dhe bore, shkruan lajmi.net.

Sipas IHMK-së, reshjet, pasditen e së hënës, do ta përfshijnë gjithë territorin.

Më tej, vendi ynë do të ndikohet nga masat e ajrit me presion të ulët atmosferik, të cilat vijnë nga pjesa veriperëndimore e Kontinentit, duke ndikuar në uljen e temperaturave në të dy vlerat ekstreme.

Minimalet parashihen të ulën deri -5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të arrijnë deri në 13 gradë Celsius (ditën e hënë).

“Përgjithësisht nga dita e marte, parashihen temperatura të ulëta të cilat u përgjigjen mesatareve të muajit shkurt”, thuhet më tutje në njoftimin e IHMK-së.

Kjo situatë e ndryshueshme meteorologjike do të ndikoj pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi 1-9m/s.

Më poshtë ju sjellim tabelën me temperaturat minimale dhe maksimale për sot dhe nesër në qytetet kryesore të vendit. /Lajmi.net/