Ndryshojnë postimet në Twitter

Tashmë të gjithë përdoruesit e Twitter mund të bëjnë postime me 280 karaktere, dyfishi i kufirit të mëparshme prej 140 të tilla.

Auto & Tek

08/11/2017 20:00

Në fakt në shtator, kur dhe nisi testimi, kompania provokoi një reagim të ashpër të përdoruesve. Disa prej tyre thoshin se ky ndryshim është shenjë se Twitter po humbet terren dhe u ankuan se do të shkatërronte thelbin e shërbimit të mikroblogut, shkurtësinë.

Por Twitter, raporton Telegraph thotë se eksperimenti me 280 karaktere tregoi se njerëzit nuk po e keqpërdorin këtë risi, pasi ishte shumë i pakët numri i përdoruesve që kalonin limitin 140 karaktere, dhe vetëm 2% kaluan limitin e 190 karaktereve. Madje kompania shton se gjatë testimit përdoruesit qëndronin më shumë në mikroblog dhe merrnin më shumë pëlqime dhe përgjigje.

Zbatimi i 280 karaktereve tashmë ka nisur dhe në blogun e tij Twitter shkruan: Ju japim më shumë karaktere për të shprehur veten.