Ndryshojnë distancat

PDK dhe LDK e kanë zvogëluar distancën mes veti, por e kanë rritur atë në raport me AAK'në dhe VV'në. AKR duhet të shpresojë në fat të mirë gjatë konstalacioneve të ardhshme politike.

Lajme

05/11/2013 19:35

Krahasimi i rezultateve mes zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare zakonisht merret me rezerva, sepse konteksti politik është i ndryshëm.

Sidoqoftë, një aspekt i cili deri në një masë është i krahasueshëm mes këtyre dy niveleve është vota për asamblistë, e cila merret si kriter më qëndrim e votuesve ndaj partive.

Sipas këtyre votave, PDK e ka ruajtur primatin e partisë më të madhe në vend, por LDK ka arritur ta zvogëlojë dallimin nga vitet e kaluara. AAK dhe VV kanë mundësi të shndërrohen në faktorë të rëndësishëm gjatë bisedave për koalicionet qeveritare, kurse AKR duhet t’i presë ofertat eventuale.

Në bazë 90 për qind të rezultateve të numruara deri tash, Partia Demokratike e Kosovës del të ketë marrë më së shumti vota për Asambletë Komunale. Pas saj, renditet Lidhja Demokratike e Kosovës. Partia e tretë është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e katërta Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa e fundit Aleanca për Kosovën e Re.

Nga 87,87 për qind të vendvotimeve të procesuara, PDK e Kryeministrit Hashim Thaçi ka marrë 179.810 mijë vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Isa Mustafa, ka 173.626 mijë vota.

Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka marrë 93.157 vota.

Lëvizja Vetëvendosje, e Albin Kurtit, e cila ka marrë pjesë për herë të parë në zgjedhjet lokale, ka fituar 54.034 vota.

E fundit për nga numri i votave është Aleanca për Kosovën e Re, e Behxhet Pacollit, me 33.160 mijë vota.

 

 Tabela krahasuese e votave për asambletë komunale

 

PDK, LDK, AAK – dikur dhe sot

 

PDK: Në zgjedhjet e para lokale, ato të vitit 2000, PDK mori 187 821 vota, ndërsa në zgjedhjet e dy vjetëve më vonë elektorati i saj u rrit në 207 012 vota.

Në zgjedhjet e vitit 2007, PDK fitoi 189 012 vota për këshilltarët komunalë, ndërsa në votimet për kryetarë të komunave rreth 45 mijë vota më shumë.

Ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2009, kjo parti mori 200.148 vota në zgjedhjet për këshilltarë komunalë dhe 235 315 vota në zgjedhjet për kryetarë të komunave.

LDK: Në zgjedhjet e vitit 2000, LDK mori 398 872 vota, ndërsa dy vjet më vonë 320 918 vota.

Në vitin 2007, LDK ra në 128 901 vota në zgjedhjet për këshilltarë komunalë dhe 146 211 në votimet për kryetarë të komunave.

Në zgjedhjet e vitit 2009, LDK mori 151 771 vota në zgjedhjet për këshilltarë komunalë dhe 151 771 në betejën për kryetarë komunash.

AAK: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet lokale të vitit 2000 mori 53 074 vota ndërsa dy vjet më vonë 61 824, gjë që i ndihmoi ta merrte pushtetin në Komunën e Deçanit.

Në vitin 2007, AAK në zgjedhjet për këshilltarë komunalë fitoi 56 676 vota, ndërsa në ato për kryetarë të komunave 60 450 vota.

Dy vjet më vonë, në zgjedhjet për këshilltarë komunalë AAK mori 95 066 vota, kurse në ato për kryetarë të komunave 121 023 vota.