Ndryshimin e gjeta në mesin tuaj

Kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti, mohon të ketë pasur ndonjë koalicon të fshehtë gjatë raundit të dytë në të cilin ai e mundi Isa Mustafën. Thotë se e mira e fitores së tij qëndron në faktin se njerëzit u bënë bashkë për ta bërë ndryshimin.

Lajme

06/12/2013 06:04

Shpend Ahmeti po bëhet gati për t’i kthyer në vendin e vet tri shkronjat që i mungojnë Prishtinës, në një fotografi të përdorur nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës.

Fjala është për shkronjat I.. NA… , pa të cilat, sipas Vetëvendosjes, Komuna e Prishtinës është shndërruar në “Komunë të Prisht”, si rezultat i qeverisjes së LDK’së.

Në një intervistë për lajmi.net, Shpend Ahmeti premton se me qeverisjen e tij veprimet Ilegale, Ndërtimet pa leje dhe Abuzimet me pushtetin dhe paranë e qytetarëve do të marrin fund.

Kështu ai thotë se do të ndreqet Prishtina dhe emri i saj.

Lajmi.net: Për marrjen e vendimeve të mëdha, ju do te duhet të bëni koalicion (ju po e quani “bashkëpunim”) me partitë tjera në Kuvendin Komunal. Me një LDK të cilës ia keni marrë pushtetin, dhe me një PDK që ka Ministra në Kuvendin Komunal, sa mendoni se do të keni mundësi për bashkëpunim korrekt politik me ta?

Shpend Ahmeti: Kjo do të varet prej çështjeve të ndryshme. Unë po synoj që çdo program që e kemi, ta diskutojmë në Kuvendin Komunal. Madje, kanë thënë që është më mirë që askush nuk e ka shumicën, sepse kështu debati ngritet në nivel politik dhe programatik. Dhe, mendoj që për shumicën e gjërave që i kemi prezentuar, kemi marrë mandat nga qytetarët, e kemi mbështetjen nga publiku. Kam thënë që nuk e përjashtoj bashkëpunimin me secilin këshilltar të Kuvendit Komunal, sepse nuk i shoh ata si pronë të subjekteve politike, por si përfaqësues të qytetarëve me votën që e kanë marrë. Prandaj, ndoshta edhe është më mirë, për disa çështje dikush do të më përkrah, për disa çështje do të më përkrah dikush tjetër, por nuk i druhem as bashkëpunimit e as ballafaqimit politik dhe programatik.

Lajmi.net: A do t’i maksimalizojnë këto parti kërkesat ndaj jush dhe Lëvizjes Vetëvendosje?

Shpend Ahmeti: Po në qoftë se kanë argumentim, le të kërkojnë. Por, mos të jetë diskutimi që për inat të atij ose për inat të këtij ta ndalim këtë apo atë çështje. Ajo çka ka ndodhur që është e mirë, është që tash është ngritur në çështje mediatike kjo puna e Kuvendit, që përpara nuk ka qenë një interesim kaq i madh në Kuvendin Komunal. Mendoj se prezenca e mediave, interesimi i qytetarëve, do ta shtojnë presionin edhe tek unë edhe tek Kuvendi Komunal që t’i shtyejnë përpara proceset.

Lajmi.net: Lëvizja Vetëvendosje është e njohur për qëndrimin e qartë dhe “vijat e kuqe” ndaj partive tjera. A mund të jetë Komuna e Prishtinës një pikënisje për fillimin e zbutjes së këtyre “vijave të kuqe” edhe për Zgjedhjet e Përgjithshme, sepse të qenit i suksesshëm në pushtet imponon bashkëpunimin edhe me partitë tjera, gjë që deri më tash Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur mundësi ta bëjë?

Shpend Ahmeti: Vijat e kuqe qëndrojnë tek parimet, dhe aty nuk mund të zgjerohen ato. Ato parime janë:  ata njerëz që janë nën korrupsion e nën hetime, është vështirë që të punohet me ta, dhe aty ka vija të kuqe. Gjithçka që është në kundërshtim të interesit, kësaj radhe të banorëve të Komunës së Prishtinës, ajo është vijë e kuqe për mua. Pra, nuk do të ketë vendime të cilat janë në kundërshtim me interesin e kujtdo tjetër privat, pra po flas për interesin publik. Unë po them që ata këshilltarë që janë në Kuvendin Komunal, janë përfaqësues të qytetarëve, nuk e kam problem të flas me secilin prej tyre, por po them në nivel të programeve dhe politikave. Në qoftë se kanë diçka që duan të shtojnë, ta kundërshtojnë, ose janë për, ta dëgjojmë, është mirë, sepse ndoshta edhe mund t’i përmirësojmë programet. Mund të kemi pjesë të programit të cilat nuk janë fare pjesë e zotimeve tona. Unë jam i hapur të dëgjoj gjithmonë, duke i mbrojtur banorët e Prishtinës.

Lajmi.net: Ju vazhdimisht thoni se bashkëpunimin me partitë tjera do ta bëni në bazë të “aspektit programor”. Por, opinioni nuk është i njoftuar me ndonjë program të qartë të partive tjera për Prishtinën.  A do t’ju duhet t’i përshtateni mënyrës së tyre të funksionimit, që shpesh është jo-programore?

Shpend Ahmeti: Atëherë duhet ta kërkoni këtë përgjigje nga subjektet tjera politike. Mendoj që diskutimi jonë programatik do t’i shtyejë edhe ata që të marrin qëndrime. Paramendojeni tash unë e prezantoj shujtën për fëmijë, për klasat prej 1 deri në 5, e cila mund të vijë prej shtatorit të vitit të ardhshëm, dhe nëse dikush voton kundër, do t’i bëhet pyetja – pse keni votuar kundër? A jeni kundër që fëmijët të kenë shujta? A mendoni se kjo kushton? A mendoni që nuk duhet të financohet prodhimi vendor? Pra, janë disa çështje, por le t’i dëgjojmë qëndrimet. Unë jam gjithmonë i hapur që të ketë sa më shumë debate, t’i dëgjojmë. Mendojmë se e kemi programin e mirë, është fakt që e kemi marrë mandatin për këtë program, prandaj do të ishte mirë ta dëgjojmë edhe kundërshtimin, në qoftë se ka.

Lajmi.net: Kur i keni bërë premtimet zgjedhore, a i keni marrë parasysh edhe pengesat (obstruksionet) që mund t’iu vijnë nga pushteti qendror?

Shpend Ahmeti: Kjo rrugë nuk është e lehtë, nuk ka qenë e lehtë as në raundin e parë kur të gjithë thonin se nuk do të mbërrini as në balotazh. Kur shkuam në raund të dytë, thanë – a e dini që nuk keni gjasa, sepse nuk mund të bëhet. Dhe i tejkaluam të gjitha pritjet. Ka vështirësi, do të ketë pengesa, por nuk mendoj që janë vështirësi dhe pengesa të patejkalueshme. Mbetet të shohim. Por, unë jam shumë optimist, duke konsideruar solidaritetin që është krijuar, pastërtinë e votës e cila ka ardhur prej mbështetjes. Mendoj se tash jemi bashkë me një numër shumë të madh të qytetarëve dhe banorëve të Prishtinës dhe diskutimi im me Qeverinë Qendrore do të jetë institucion me institucion, do të jetë transparent, po ashtu edhe me Kuvendin e Kosovës. Unë do t’i mbroj tash interesat e qytetarëve të Prishtinës, pa marrë parasysh se cilit subjekt politik i takojnë dhe në emër të atij interesi unë do të komunikoj me këto institucione, gjithmonë duke i shtyer përpara projektet, programet që do ta përmirësojnë jetën për ne. Pra, unë luftoj tash për buxhetin e prishtinasve në Kuvendin e Kosovës, në Ministri të Financave, në Qeveri, në publik do të flas për nevojën që t’i zgjidhim disa probleme, do të luftoj për Ligjin për Prishtinën. Pra, të gjitha janë këto beteja që do t’i bëj për banorët e Prishtinës, jo vetëm në emër të Vetëvendosjes, por në emër të atyre që ju takojnë dhe nuk ju takojnë subjekteve. Pra, tashmë unë jam Kryetar i Prishtinës.

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Lajmi.net: Si do ta zgjidhni ju çështjen e Ligjit për Prishtinën?

Shpend Ahmeti: Po si mund të ndodhë që nga viti 2007 që ky ligj bllokohet diku, asnjëherë nuk është diskutuar publikisht se cili është problemi që është bllokuar Ligji i Prishtinës. Në njërën anë, Komuna thotë se na ka bllokuar Qeveria. Qeveria thotë se nuk ka qenë bllokimi tek ne… A bën t’i dijmë çështjet nen pas neni të cilat e pengojnë kalimin e Ligjit për Prishtinën. Mendoj se tash në muajt e parë do të skenojmë gjendjen, dhe bashkë me ekspertët ligjorë do të draftojmë Ligjin sa më të mirë, dhe pastaj me grupet parlamentare do të punojmë që ta shtyejmë këtë Ligj në Kuvend.

Lajmi.net: Disa përfaqësues të Partisë Demokratike në Degën e Prishtinës deklaruan në media se ju i keni fituar zgjedhjet për shkak të ndihmës së tyre, sepse ata kanë lobuar për ju…

Shpend Ahmeti: Po tash, atë ditë në shesh kur ishim në festime, u pa një gjë, që aty kishte njerëz nga lagje të ndryshme, burra e gra të moshave të ndryshme dhe që i përkasin subjekteve të ndryshme, por edhe që nuk i takojnë asnjë subjekti. Tash, thjesht, të konsiderosh se një votues i një subjekti është pronë e asaj e asaj partie mendoj se është e padrejtë, ne i shohim si qytetarë të Prishtinës, e pastaj si votues të subjekteve politike. Në qoftë se ka, dhe e di që ka votues të LDK’së, i bie kjo që paskam pasur marrëveshje me degët e LDK’së. Mendoj se këto janë tash më shumë arsyetime, e mira e kësaj pune është që njerëzit janë bërë bashkë për ta bërë ndryshimin, domethënë ne nuk kemi pasur marrëveshje. Ju e dini që jo vetëm PDK, por edhe subjektet tjera politike, publikisht para raundit të dytë kanë thënë nuk e mbështesim asnjë kandidat. A do të thotë që tash unë i përjashtoj të gjithë ata votues që kanë thënë, natyrisht se jo. Po them, tash kemi përgjegjësi ndaj gjithë banorëve, përfshirë këtu edhe votuesit e Isa Mustafës, ata janë banorë të Prishtinës të cilët janë të barabartë me gjithë të tjerët.

Lajmi.net: A mendoni se edhe për projektet tjera të rëndësishme që do t’i realizoni si Kryetar i Prishtinës do të ketë shumë pretendues që do të thonë se ato janë edhe meritë e tyre?

Shpend Ahmeti: Mua më shumë më intereson që të kryhet një punë, që të përmirësohet jeta, e pastaj le t’i marrë meritat kushdo që mendon që është mirë. Unë mendoj se meritat për këtë fitore i kanë veçse qytetarët dhe natyrisht për mua personalisht 2 mijë vullnetarë, aktivistë, komisionerë, vëzhgues, të cilët kanë punuar jashtëzakonisht shumë, që kjo të bëhet e mundshme. Pika kryesore e punës sime është transparenca, domethënë ne do të bëjmë publike çdo gjë që kemi gjetur në Komunë, çdo gjë që ka ndodhur. Unë mendoj se është e drejtë e qytetarëve të dinë se çka ka ndodhur në komunën e tyre, por do të jemi vazhdimisht në komunikim me qytetarët, me mediat, me shoqërinë civile, t’i flasim gjërat. Mendoj se do të jemi shumë shumë të hapur, do ta zbatojmë transparencën radikale, dhe mendoj kur të gjithë e dinë çka po ndodh, atëherë komunën veçse ja kemi kthyer qytetarëve. Unë jam vetëm zbatues, ndërsa ata që i bëjnë politikat janë vetë qytetarët. Në qoftë se me një lagje duam ta ndalim degradimin e një ndërtimi qe po bëhet, qytetarët nuk pranojnë, mendoj që banorët do të jenë vetë ata të cilët do të bashkohen, unë do të jem në rend të parë krahas tyre, por do të bëjmë çmos ta ndalojmë këtë në aleancë bashkë me njerëzit.

Lajmi.net: Si do ta zgjidhni problemin e ndërtimeve pa leje?

Shpend Ahmeti: Unë dje bëra publikisht thirrje që t’i ndalin ndërtimet pa leje, që mos ta përdorin këtë vakum derisa ta marrim mandatin. Dëgjova se edhe ndërtuesit kanë filluar të diskutojnë si do t’i ndalin, për shkak se po vjen një ndryshim. Mendoj se kjo është mirë, duhet ta dinë që me të vërtetë nuk do të tolerojmë, jo vetëm unë, por mandati që na është dhënë na jep të drejtën që të themi ‘nuk ka mundësi më kështu’. Kjo nuk do të thotë se tash ne i ndalim investitorët të cilët janë korrektë, duan të punojnë, por do t’i japim një drejtim zhvillimit të kryeqytetit pa e dëmtuar askënd, pa e degraduar qytetin dhe thjesht urbanizmin ku është bërë pothuajse i pajetueshëm.

Lajmi.net: Si do ta zgjidhni problemin e ndërtimeve të shumta ekzistuese pa leje, të cilat e kanë degraduar Prishtinën?

Shpend Ahmeti: Ato do të rregullohen me ligjin për legalizim, i cili tashmë është në Kuvendin e Kosovës. Ne po mundohemi që të ndikojmë në disa pika, do të vazhdojmë ndikimin tonë përmes deputetëve dhe ne do ta zbatojmë atë ligj që nënkupton edhe kategorizimin e objekteve, vlerësimin e sigurisë së çdo objekti, dmth taksat e legalizimit, por mendojmë që ta përfundojmë këtë proces pas kalimit të ligjit brenda një mandati katërvjeçar.

Lajmi.net: Cilat do të jenë punët e para të Kryetarit të ri të Prishtinës?

Shpend Ahmeti: Nuk mendoj se ka ndonjë punë të parë, por punët fillojnë në të gjitha drejtimet, qoftë me ujin, qoftë me identifikimin e nevojave për vende në qerdhet në kushte të përballueshme, në shkolla, të gjitha këto do të fillojnë. Ajo që është pëmendur më së shumti është shitja e Audi Q7, por mendoj që gjëja e parë që do të vërehet është transparenca dhe hapja e komunës. Do të jetë shumë më të lehtë edhe në komunë, edhe në dokumente, edhe në vendime dhe diskutime, pra, do të jetë krejt ndryshe prej asaj që kemi parë.

Lajmi.net: A jeni dëgjuar apo a keni pasur ndënjë kontakt me rivalin tuaj, Isa Mustafa,  pas humbjes së tij?

Shpend Ahmeti: Jo, personalisht jo. Unë i kam dëgjuar vetëm deklarimet publike kur më ka uruar fitoren dhe më ka uruar fat në punë. Mendoj se ky është një hap i mirë demokratik dhe për mua kjo mjafton. Ka pasur disa diskutime që më paska thirrur, por atë natë me të vërtetë telefoni ka qenë i bllokuar nga thirrjet dhe mesazhe,t kështu që nuk e di a ka ndodhur a jo.