Ndryshimi i domosdoshëm i Sistemit zgjedhor

Sa të jetë në fuqi ky Sistem zgjedhor, ne pas zgjedhjeve do ta kemi po të njejtin problem i cili na është përsëritë tri herë në gjashtë vitet e mbrama

Opinion

19/07/2017 15:17

Është hera e tretë në shtetin e Kosovës kur mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në kërkim të zgjidhjes së problemeve madhore politike në vend, dhe është hera e tretë kur zgjedhjet ofrojnë, me rezultatin e tyre, një ndërlikim të veçantë i cili bëhet problemi më i madh politik në vend.
Të gjithë neve na kujtohen situatat e dimrit të vitit 2011, të verës së vitit 2014, dhe kjo e verës së këtij viti.
Madje, kësaj here, vota e qytetarëve të Kosovës u shpërnda në atë mënyrë që krijoi tri grupacione të mëdha politike, të cilat në rrethanat që mbizotërojnë në vend, sidomos në tri vitet e fundit, nuk kanë vullnet të sinqertë për të bashkëpunuar me njeri-tjetrin. Ose nuk kanë afërsi programore  (megjithëse ato gjithnjë e më pak po këqyren), ose janë përplasur keq në të kaluarën e afërme, ose nuk mund të dakordohen dot për Kryeministrin e ri të vendit.
Me sistemin zgjedhor që është në fuqi në Kosovë tash e dhjetë vjet, pra, një Sistem i pastër proporcional me Lista të hapura  (me të drejtën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë), dhe me përvojën që kemi me tri palë zgjedhjet nacionale në shtetin e Kosovës, mund lirisht të konkludohet që qytetarët e vendit nuk po kanë fjalën e tyre të fundit në krijimin e pushtetit qendror të Kosovës. Ndërsa ekziston iluzioni që ata njëmend bëjnë përzgjedhjen e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.
Qytetarët e Kosovës, ta zëmë, në masë të madhe do ta kushtëzonin votën e tyre për një subjekt apo koalicion parazgjedhor, sikur ta dinin qartë që çka do të bëhet më pas me atë entitet apo koalicion, apo, si do të mundohen udhëheqësit e tij të krijojnë Qeverinë e Kosovës, duke hequr dorë  (rëndom), nga ato parimet themelore politike, të cilat krijojnë atë identitetin bazik politik që joshë votuesit e rëndomtë.
Çfarë po ndodhë realisht me raportin në mes të votuesit dhe një subjekt politik është jo fuqizimi i drejtpërdrejtë i tij në marrjen e pushtetit  (e cila gjë është motivi primar i pjesëmarrjes në votime të secilit qytetar), por, autorizimi i lidershipit të një subjekti a një koalicioni për ta bërë Qeverinë e Kosovës.
Pra, mandatet e fituara në Kuvendin e Kosovës, me një Sistem të këtillë zgjedhor, asnjëherë nuk po arrinë të përkthehen  (ashtu si do të duhej në të vërtetë), në një pushtet/ qeveri të mirëfilltë, por ato po shndërrohen në kapacitet/ potencial negociator midis subjekteve, për të mbërritë tek marrëveshja për një qeverisje të përbashkët, e cila natyrisht, në këto raste, nuk ka si të mos ndërtohet e tëra në interesin themelor për udhëheqjen me një Qeveri, dhe asgjë më shumë.
Sa të jetë në fuqi ky Sistem zgjedhor, pa marrë parasyshë se si do të zhvillohet tash e tutje skena politike kosovare, apo, edhe nëse do të ketë një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së saj  (gjë që do të ishte befasi e madhe për të gjithë ne), ne pas zgjedhjeve do ta kemi po të njejtin problem i cili na është përsëritë tri herë në gjashtë vitet e mbrama: Së pari pra, do të numërojmë vota me javë për kandidatët e partive  (duke u bërë përrallë para vetes dhe para Botës), dhe së dyti, do të përballemi me transformimin e politikës në një matematikë të thjeshtë parlamentare.
Çka do të duhej bërë atëherë për ta ndryshuar këtë situatë, apo, për të krijuar rrethanat kur rezultati final zgjedhor do të ofrojë një qartësi evidente, me qeverinë dhe opozitën?
Së pari, Kosova do të duhej të ndahej në shtatë zona zgjedhore, dhe në secilën prej tyre, do të vlente pragu zgjedhor prej 5%. Do të ndodhte kështë fuqizimi i subjekteve/ koalicioneve më të mëdha, që kanë një shtrirje në gjithë territorin e Kosovës.
Një shembull se çfarë domethënie do të kishte kjo për rezultatin zgjedhor në Kosovë, na vjen nga Shqipëria, e cila ka sistem proporcional, por me zona zgjedhore. Sikur Shqipëria të ishte një zonë e vetme zgjedhore, PS e Edi Ramës nuk do t’i merrte 74 mandate  (duke siguruar një fitore të pastër), por 69 mandate, pramdaj, patjetër do t’i imponohej koalicioni qeverisës.
Së dyti, Kosova do të duhej t’i mbyllte Listat (e kandidatëve për deputetë), ashtu siç kanë bërë të gjitha shtetet në rajon.
Për dy ditë pas zgjedhjeve, do të diheshin rezultatet dhe deputetët, dhe distanca midis subjekteve/ koalicioneve do të ishte më e qartë.