Ndryshimet do t’i shihni pas 100 ditësh

Shpend Ahmeti premton se brenda 100 ditëve të para të punës së tij do të ndalë, siç thotë ai, të keqen që ka përfshirë Prishtinën, duke nisur nga ndërtimet pa leje e korrupsioni.

Lajme

05/12/2013 08:34

Kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se ndryshimet e para në qeverisjen tij do vërehen pas 100 ditësh, prej momentit kur do ta marrë zyrtarisht pozitën e të parit të Kryeqytetit.

Ahmeti  premton, gjatë një interviste për “Zëri” se brenda 100 ditëve të para të punës së tij do të ndalë, siç thotë ai, të keqen që ka përfshirë Prishtinën, duke nisur nga ndërtimet pa leje e korrupsioni.

“Nuk janë dhënë zotime të paarritshme, nuk po i quaj as premtime, se kur po u them premtime po kujtojnë që po barazohem me premtimet e të tjerëve, kemi dhënë zotime të cilat jam munduar t’i mbaj në nivel të arritshmes, por gjithmonë duke i bërë të prekshme për qytetarët”.

“Do të thotë i kemi prekur problemet të cilat ne e dimë se i kanë munduar”.

“Disa zgjasin më shumë, disa do të jenë një mandat, disa do të jenë 24 muaj e disa do të fillojnë që në ditën e parë të qeverisjes”.

“Mendoj që në 100 ditët e para, do të ketë një përmirësim të dukshëm në transparencë, në ndaljen e së keqes”.

“Ndalja e së keqes nënkuptohen plot gjëra të këqija, që janë ndërtimet pa leje, korrupsioni që mund të ndalet, hapja ndaj qytetarëve, transparenca, një bashkëpunim më i mirëfilltë, edhe me qytetarët edhe me shoqërinë civile, tubimet nëpër lagje do të vazhdojnë ngase e kam dhënë një zotim që pas zgjedhjeve do të shkojë në çdo lagje, të paktën një herë në tre muaj”.

“Mendoj se pritjet janë të mëdha, mirëpo në 100 ditët e para do të vërehet një ndryshim në qeverisje…”.

Edhe në këtë intervistë, Ahmeti ka thënë se ndër punët e para emergjente, me të marrë postin e Kryetarit do të jetë nxjerrja në ankand e veturës Audi Q7 të ish-Kryetari, Isa Mustafa.