Ndotja e ajrit: Shteti nuk ndau para për mjedisin

Ndotja e ajrit në Kosovë, veçmas në kryeqytet, i ka kaluar të gjitha normat e lejuara duke u renditur në vendin e parë në botë. Institucionet e Kosovës ditëve të fundit po mundohen që të marrin disa masa ad-hoc për të ulur sado pak nivelin e ndotjes së ajrit. Mirëpo, nëse shikohet buxheti i shtetit për vitin 2018, shihet që vizioni i shtetit për kujdes ndajë mjedisit ka qenë shumë i varfër.

Lajme

30/01/2018 16:49

Ministria e Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor (MMPH) është e përcaktuar që të hartojë dhe të kujdeset për zbatimin e politikave të mjedisit. Mirëpo, një nga problemet e theksuara është fakti se buxheti i kësaj ministrie për shpenzime kapitale për vitin 2018, fare pakë është i orientuar në projekte mjedisore, e më shumë në projekte tjera që realizimi i tyre nuk ka ndikim në përmirësimin e mjedisit.

Ndërkohë, planifikimi i buxhetit për ruajtjen e mjedisit për vitin e ardhshëm është planifikuar të jetë më i vogël se në këtë vit, shkruan lajmi.net.

Buxheti i MMPH-së për vitin 2018 është  fiks 52,893,885 euro, veçmas për shpenzime kapitale 49,187,682 euro. Parashikimet e hershme thonë se për vitin 2019 është planifikuar të jetë për 4 milion euro më i vogël, ose 48,533,452 euro.  MMPH ka tetë departamente, më së paku mjete i janë ndarë departamentit të mjedisit, ose fiks 2,215,237 euro, nga to 1,895,000 euro për shpenzime kapitale.

Pikat investive kanë të bëjnë për përkrahjen e Komunave, dhe Komuna e Prishtinës e ka fituar vetëm një preket të tillë, “Ndërtimi i deponime se materialeve te ngurta ne Prishtine”. Madje, një pikë që ministria e ka futur tek investimet e mjedisit është edhe blerja e veturave për departamentin e mjedisit. Disa pika tjera investivej anë: Pastrimi Lumit Lepenc nga mbeturinat e Azbestit; Ndërtimi i deponise komunale ne regjionin e Pejës; Mbrojtja e ruajtja e ambientit hapësinor ne rajonin e Suharekes – Bjeshket e Sharrit”; Ndërtimi i parkut te qytetit ne lokacionin e ish ndërmarrjes publike Radusha – Istog etj.

Por, në kuadër të kësaj ministrie është edhe për Agjencioni Kosovar për Mbrojtjen e Mjedisit (AKMM). Ky institucion angazhohet që përmes monitorimit të integruar të mjedisit, sistemit efikas të informimit mjedisorë dhe raportimit të vazhdueshëm për gjendjen e mjedisit, të ruajë kualitetin e ajrin, ujit, tokës dhe biodiversitetit. AKMM bënë edhe monitorimin e ajrit në Kosovë. MMPH, këtij agjencioni nga buxheti i vet i ka ndarë 8,647,793 euro, nga to 7,840,000 për shpenzime kapitale. Planifikimi për vitin e ardhshëm ka pësuar rënje drastike për këtë agjenci, ku janë planifikuar vetëm 290 mijë euro, njëjte edhe në vitin 2020.

I gjithë buxheti, ose 7.5 milion euro nga kjo Agjenci do të shkojnë në ndërtimin e impiantit te mbeturinave në nivel të Kosovës.

Komuna e Prishtinës nuk ka ndonjë strategji për kujdesin ndaj mjedisin, pos që në këtë vit ka planifikuar disa projekte që ndikojnë në mjedis.

Në këtë komunë e cila së fundmi ka marrë disa masa për zbutjen e ndotjes enorme të ajrit, ekziston drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, në kuadër të së cilës është edhe sektori për planifikim dhe mjedis, por projekte për mjedis në këtë vit ka pakë ose janë të lidhura direkt me fushatat vetëdijesuese për mjedisin si: Shënimi i ditëve mjedisore sipas kalendarit mjedisor, ku janë ndarë 5 mijë euro; Gara për mjedis te pastër, 6 mijë euro; Hartimi i projektit për realizmin e parkut botanik.

Por, disa projekte të pakta që kanë impakte më mjedis, janë të futura neper drejtoritë tjera, si mbjellja e fidanëve në hapësirat e qytetit dhe parqet 150 mije euro, apo edhe shpimi i puseve dhe ndërtimi i sistemit të ujitjes për gjelbërim, 150 mije euro.

Po ashtu edhe pikat investive që kanë të bëjnë më mirëmbajtjen, si trajtimi i mbeturinave, kontejnerët dhe rregullimi dhe kultivimi i sipërfaqeve gjelbëruese dhe parqeve të qytetit, i cili ndryshe nga vitet tjera këtë vit është planifikuar të jetë më i larti, në vlerë prej 1.1 milion euro.

Komuna e Prishtinës nën një konferencë për media të martën ka bërë të ditur disa nga masat afat shkurtra që nga nesër do t’i marrë, në mënyrë që të parandalohet ndotja e ajrit.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim  Pacolli deklaroi se qarkullimi i të gjitha veturave brenda qytetit do të ndalohet duke filluar nga ora 06:00 deri në 22:00. Por, Komuna e Prishtinës në planin afat gjatë ka të planifikuar një projekt madhorë, ku po synohet që të zgjidhet problemi i parkingjeve për veturat që hynë në Prishtinë, duke menduar që një të tillë ta ndërtojë tek Fakulteti Filologjik. Kësisoj veturat të sjellën në qendër të Prishtinës. /Lajmi.net/