Ndizen flakadanët në Gjilan: Janari muaj i shenjët për shqiptarët

Sot në Gjilan u bë ndezja e flakadanin në sheshin “Agim Ramadani”, këtë i pari e bëri Rexhep Berisha, babai i heroit Nuhi Berisha.

Lajme

11/01/2017 19:25

Ndezja e flakadanit u bë për nderë të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” që çdo vit mbahet në këtë komunë.

Komuna e Gjilanit ka organizuar një takim me familjarët e dëshmorëve, janë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve si dhe kanë vizituar kazermën e FSK-së.

Po ashtu, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur takimin me familjet e dëshmorëve në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”.

Babai i Nuhi Berishës, tha se për këto 95 vjet ka provuar gjithçka por tash ka ardhur koha që populli shqiptar e ka në dorë që të përparojë.

Me pas kryesuesja e Kuvendi të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, tha se janari është i shenjtë për të gjithë shqiptarët pasi që sipas saj pikërisht në rënien heroike në këtë muaj ka nisur rruga e gjatë dhe e mundimshme për lirinë e Kosovës.

“Janari është i shenjtë për të gjithë shqiptarët, sepse pikërisht në rënien heroik në këtë muaj ka nisur rruga e gjatë dhe e mundimshme për lirinë e Kosovës. Në këtë 33 vjetor nga rënia heroike e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, kolosëve që me sakrificën e tyre janë bërë sinonim i lirisë që ne sot e gëzojmë”, tha ajo.

Ndër tjera ajo tha se “Flaka e Janarit” është sinonim i respektit dhe i nderit për familjet e dëshmorëve dhe veprave të tyre të mëdha.

Gjatë homazheve tek varrezat e dëshmorëve ish-komandanti i zonës së Karadakut, Ahmet Isufi, tha se sot është një datë historike pasi që u ndizën shkëndijat e para për paralajmërimin e luftës për liri.

“Sot është një datë historike, e lavdishme për popullin tonë sepse ndizen shkëndijat e para të paralajmërimit të luftës për liri. Rexhep Mala, Nuhi Berisha 33 vite më parë treguan se si mbrohet atdheu, si bihet për liri dhe se si jepet sinjali për luftën e shenjtë të Kosovës, prandaj Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha janë dy heronj të kombit të cilët paralajmëruan luftën e ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe paralajmëruan lirinë e vendit tonë”, tha ai.

Në Gjilan ishte edhe Albin Kurt, nga VV, i cili tha se sot po nderojnë dëshmorët e lirisë.

“Sot jemi këtu për të bërë nderime dhe për të kujtuar 33 vjetorin e rënies heroike të Rexhep Males dhe Nuhi Berishës, Janari është janari i flakës dhe sigurisht që duke kujtuar heronj, dëshmorët martirët dhe veprimtarët e çështjeve shoqërore e kombëtare ne ia përkujtojmë vetës edhe rëndësinë e vullnetit për liri edhe çmimin e lartë të lirisë dhe njëkohësisht edhe nevojën dhe detyrat ende të pakryera për të realizuar idealin e dëshmorëve që është i rëndësishëm jo vetëm për brezin tonë por edhe për gjeneratat e ardhshme. Dëshmorët janë dëshmia e historisë dhe pishtar drejt ardhmërisë”, tha ai.

Këtë vit janë bërë 33 vite të rënies së dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Manifestimi “Flaka e Janarit” këtë vit i kushtohet heroit Idriz Seferi. /Lajmi.net/