Ndizen 108 qirinj në përkujtim të viktimave të trafikut rrugor

Për nder të Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor, sonte para Teatrit Kombëtar në Prishtinë janë ndezur 108 qirinj në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor.

Lajme

18/11/2018 19:31

Përmes një videoje vetëdijesuese të realizuar nga regjisori Imer Veliu u është bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion për kujdes.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, pas ndezjes së qirinjve tha se janë të përkushtuar të ofrojnë shërbime më të mira në mënyrë që pjesëmarrësit në trafik të mos rrezikohen derisa bëri lutje për kujdes.

“Në ditën botërore të përkujtimit të viktimave në trafik rrugor ju lutem të gjithë pjestarëve të komunikacionit të duan jetën e tyre, të ndalin gazin dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit. Sonte përkujtojmë 108 viktima, 108 familje në dhembje!” ka shkruar Lekaj në Facebook.

Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave. /Lajmi.net/