Ndihmohet familja skamnore, vuajnë nga një sëmundje e vështirë

Gentrit Rexhaj ka mbushur 8 vjet. Ai për herë të parë festoi ditëlindjen si të gjithë fëmijët e tjerë.

Lajme

19/10/2018 18:37

Shtëpia e tij u mbush me plotë dhurata e pako ushqimore që u mundësuan nga dëgjuesit e emisionit “Radar” që transmetohet në RTV Dukagjini.

Gentriti është fëmija më i madh i familjes Rexha nga fshati Tërrnje i Komunës së Suharekës.

Përpos kushteve të vështira ekonomike dy vëllezërit e Gentritit, vuajnë nga një sëmundje trashëguese.

Ata kanë nevojë për një lloj bari që është vështirë për t’u siguruar, e aq më pak me të ardhurat prej 70 euro në muaj që marrin ata si ndihmë sociale.

“Për të blerë atë medikament duhet me sigurua vetëm jashtë vendit. Ai ilaç kushton 700 euro në Maqedoni. Nëse më fillon gjakderdhja ndoshta duhet një javë ditë me marrë sepse te na nuk ndalet gjakderdhja lehtë. Ehe nëse ndalet në një vend kërcet dika tjetër”, tregon babai i Gentritit, Urim Rexhaj, përcjell Telegrafi.

Përpos këtyre problemeve më shëndet, kryefamiljari thotë se përballet edhe me kërkesat e fëmijëve.

“Ndonjëherë më kërkojnë libra e fletore, “ku të marrë bre Gentrit me ti ble ato”, unë jam me hemofili”, thotë më tej Urim Rexhaj.

Dëgjuesit e “Radarit” në RTV Dukagjini i kanë tubuar edhe një sasi parash prej 671 eurosh të cilat iu dorëzuan familjes.

Por as këto ndihma nuk janë zgjidhje, nevoja për një shtëpi të re mbetet dëshirë e madhe e familjes Rexhaj.