Ndëshkimi i Ramush Haradinajt nga aleatët. PSE?

Shtyrja e vendimit të gjykatës franceze për Ramush Haradinajn për 6 prill, është vendim për ta mbajtur peng për qëllime politike. Prandaj është momenti që të kalohet nga lamentet pseudopatriotike, në një reflektim racional e të nxirren disa përfundime se çfarë po ndodhë e si mund të arrihet lirimi i tij.

Opinion

02/03/2017 12:06

Nga një reflektim i tillë mund të nxirren disa përfundime. E para, ky nuk është vendim i Serbisë, po i shtetit francez. Prandaj, duhet të hetohen motivet e shtetit francez për këtë vendim. Gjasat janë se kjo mbajtje peng e tij ka të bëjë me zhvillimet e tashme në Kosovë më shumë se sa me akuzat serbe për krime lufte.

Nëse është kështu, atëherë kërkohen veprime konkrete në drejtim të ndryshimit të gjendjes, për të cilën Franca dhe BE janë të hidhëruar dhe thjesht po hakmirren. E dyta, nga reflektimi racional mund të kuptohet se ndryshimi i gjendjes nuk bëhet me këto mënyra veprimi që tashmë janë provuar: me protesta, me këngë patriotike, me turizëm për në Kolmar, me deklarata kundër qeverisë së vendit tonë. Pra, duhet të kërkohen mënyra të tjera të veprimit, në kuadër të atyre përpjekjeve të cilat Karl Poperi i quan “sprova të zgjidhjes.” Pra, kur nuk zgjidhet problemi me një mënyrë veprimi, duhet të gjenden mënyra të tjera veorimi, deri sa të gjendet zgjidhja e problemit.

Në këtë kontekst, duket se një prej atyre “sprovave të zgjidhjes” duhet të jetë ratifikimi i demakrimit të kufirit e Malin e Zi. Nëse Haradinaj është peng politik për këtë gjë, atëherë do të pasonte lirimi i tij. (Sot për herë të parë këtë gjë e përmendi një zyrtar i lartë i AAK-së. Me vonesë të madhe, po duket se ka filluar një reflektim në këtë drejtim.) Personalisht nuk e di se a është ai kufi i saktë a jo.

Por, tashmë jam i bindur se Kosova e edhe Ramushi po mbahen peng i atij demarkimi të kufirit. Jo nga Mali i Zi, po nga Bashkimi Evropian, në rend të parë. Prandaj, secili duhet ta vlerësojë se cila humbje është më e vogël, a humbja e disa hektarëve të territorit, apo perspektiva evropiane të shtetit dhe karriera e një lideri politik unik si Haradinaj. Kjo që sapo thashë është e dhimbshme për ta thënë dhe shumë e rëndë për për ta zgjidhur, por kështu janë fatet e popujve dhe shteteve të vogla e të dobëta. Nuk kanë fuqi t’i zgjidhin vetë problemet, prandaj ua imponojnë zgjidhjen të fortët, ashtu si duan vetë. Jo vetëm shteti i Kosovës po edhe gjithë fati i kombit shqiptar është zgjidhur në bazë të humorit të të fortëve.

Fjala vjen, nuk ka qenë dëshirë e Ismail Qemalit të linte më shumë se gjysmën e territoreve shqiptare jashtë shtetit shqiptar, por nuk kishte fuqi të bënte ndryshe. Kur provoi të bënte diçka që ta ndryshonte vendimin etë fortëve, e pagoi me fundin e karrierës dhe me një helmim që i solli vdekjen. Historia e kombit tonë është pëprlot këso episodesh tragjike.

Në fund të fundit mjafton ta mbajmë mend kthjellët vitin 1999 dhe intervenimin shpëtimar të NATO-s, për ta kuptuar raportin tonë të fuqisë edhe me aleatët tanë. Në këtë raport, faktikisht Mali i Zi nuk është palë e kontestit për kufirin, po janë aleatët tanë strategjikë, NATO-ja, SHBA dhe BE. NATO-ja, SHBA dhe BE po ngulmojnë që të ratifikohet demarkimi i kufirit në këtë version. Bile, Mali i Zi ka qenë më fleksibil se se këta aleatë ngulmues.

Këta aleatë që kanë arritur t’ia imponojnë Serbisë largimin nga Kosova, kanë kapactete t’ia imponojnë edhe Kosoëvs ndonjë zgjidhje që nuk i shkon më së miri për shtat, siç janë fjala vjen, demarkacioni e asociacioni. Por, rezistimi ndaj tyre, mund të ketë çmim më të lartë se sa pranimi i tyre.

Në fund të fundit, nuk duhet të harrohet se pavarësia e Kosovës, pa sponsorizimin e SHBA-ve, NATO-s e Bashkimit Evropian, nuk mund të mbrohet as një javë të vetme. (Edhe kjo është e rëndë për ta thënë, por e vërteta shumë herë është e hidhur.) Prandaj, kur shihet në këtë kuadër, arrestimi i Haradinajt është mesazh për politikanët shqiptarë të Kosovës, që të mbeten bashkëpunues më aleatët srategjikë e mos të dalin kundër vullnetit të tyre, sepse në atë rast pason ndëshkimi. Fatkeqësisht, edhe Ramushi është politikan i ndëshkuar nga aleatët. Jashtë këtij realiteti, portretimet e politikanëve shqiptarë, të dikurshëm e të tashëm, janë veç përralla dhe poezi. (2 mars 2017)