Ndeshje historike për Kosovën

Gjashtë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova do ta nis kampanjën e miqësoreve duke luajtur ndaj Haitit në Mitrovicë, 40 kilometra në veri të kryeqytetit Prishtina. Ky është stadiumi i vetëm në vendin e banuar nga 1,7 milion njerëz, i pranuar nga 23 nga 28 vendet e Bashkimit Evropian, i njohur nga 108 vende anëtare…

Sport

04/03/2014 17:47

Gjashtë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova do ta nis kampanjën e miqësoreve duke luajtur ndaj Haitit në Mitrovicë, 40 kilometra në veri të kryeqytetit Prishtina.

Ky është stadiumi i vetëm në vendin e banuar nga 1,7 milion njerëz, i pranuar nga 23 nga 28 vendet e Bashkimit Evropian, i njohur nga 108 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, por jo edhe nga Rusia, e cila, njëjtë si Serbia e Spanja, nuk e njeh këtë vend.

Të gjitha, 17 mijë tiketat e ndeshjes janë shitur pas vetëm shtatë orësh, pas daljes së tyre në shitje. Në disa pjesë të vendit, tiketa u shitën edhe në të ‘zezën’, 10 fish më shtrenjtë sesa bileta origjinale, çmimi i së cilës ishte 10 euro.

Mitrovica, ndër të tjera është pjesë e Kosovës, të cilën edhe serbët e shohin si shtëpinë e tyre.

Federata e Futbollit të Kosovës nuk është pjesë e FIFA’s, por e fitoi të drejtën për zhvillimin e miqësoreve më 13 shkurt, pas takimit trepalësh me Federatën Serbe të Futbollit dhe me drejtuesit e FIFA’s, por edhe falë ‘ambasadorëve’ të futbollit kosovar si Xherdan Shaqiri i Bayern Munichut, Granit Xhaka i Borussia Dortmundit dhe Valon Behrami i Napolit.

Ata e përkrahën Kosovën, përmes nënshkrimeve të dhëna, të cilat më pas u dërguan në FIFA, si kërkesë për lejimin e miqësoreve.

Zvicra ua ka pa hairin më së shumti futbollistëve shqiptarë, pasi falë atyre, është kualifikuar në Botërorin ‘Brazil 2014’. Për futbollistët që do t’i mbrojnë ngjyrat e vendit të tyre, ky është një nder dhe krenari.

“Është fantastike të jesh pjesë e ekipit. Nuk do të mund të ishte më mirë se aq. Shpresoj të më jepet rasti, për ta demonstruar se sa i mirë jam”, ka thënë sulmuesi i Manchester Cityt, Bersant Celina për agjencinë e lajmeve, Reuters.

Një tjetër futbollist që pritej të ishte prezent në këtë ndeshje ishte edhe Adnan Januzaj, por babai i tij e hodhi poshtë mundësinë që për momentin, djali i tij ta përfaqësojë Kosovën. Gjithashtu, ai ka në opsion Belgjikën dhe Turqinë, por edhe Anglinë e Shqipërinë.

Një pjesë e mirë e futbollistëve që do të luajnë për Kosovën vijnë nga Norvegjia, Suedia dhe Finlanda.

“Kosova do t’i mbajë gjithmonë dyert e hapura për ta. Ky është një rrugëtim dhe ne presim që edhe të tjerët të na bashkohen në të ardhmen”, theksoi përzgjedhësi i Përfaqësueses, Albert Bunjaki për Reuters.

Federata e Futbollit ë Kosovës udhëhiqet nga Fadil Vokrri, futbollisti më i mirë në histori të Kosovës, i cili luajti futboll në kohën e ish-Jugosllavisë. FFK shpreson që të bëhet anëtare me të drejta të plota e FIFA’t dhe të marrë pjesë në kualifikimet për Botërorin ‘Rusia 2018’.

Për momentin, shtëpia e futbollit kosovar po heziton ta bëjë një gjë të tillë, pas kundërshtimit të disa vendeve, të kryesuara nga Serbia. Mirëpo, kjo mund të mos zgjasë shumë, pasi herët ose vonë, FFK do të hyjë nën ombrellën e FIFA’s.

Sidoqoftë, Kosova nuk ka zhvilluar ndeshje miqësore qe dy vjet dhe kjo është një mundësi e mirë për fansat kosovarë ta shuajnë etjen e tyre, duke e parë një ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Vendi ka talentë të padiskutueshëm, të cilët mund ta bëjnë Kosovën një ekip të fuqishëm në të ardhmen, nëse asaj i bashkohen lojtarët që i përfaqësojnë vendet tjera.

Rrugëtimi nis me Haitin, që është i 79’ti në botë. Kosova e ka të ardhmen për para. Deri tash e ka penguar politika, por barrierat po thyhen një nga një…