Ndeshje e vështirë, fitore e madhe

Fernando Llorente është i lumtur me fitoren që e regjistroi Juventusi ndaj Sassuolos, 3:1, në një ndeshje të cilën e konsideron mjaft të vështirë. Sulmuesi spanjoll synon po ashtu që ekipin Bianconeri ta dërgojë në finale të Europa League.

Sport

29/04/2014 00:52

Fernando Llorente thotë se Juventusi u përball ndaj një kundërshtari të fortë siç është Sassuolo në shtëpi, por që e regjistroi një fitore të madhe.

Sulmuesi spanjoll e shënoi golin e tretë për mysafirët, nga një gol tjetër e shtuan Tevez e Marchisio, për ta afruar ekipin Bianconeri edhe më shumë me titull të kampionit.

“Është një fitore e rëndësishme në një ndeshje të vështirë me Sassuolon, e cila na vuri në vështirësi. Mirëpo, në fund e kemi përmbysur rezultatin dhe fituam”, deklaroi fillimisht ish futbollisti i Athletic Bilbaos.

“Ata na mbyllën hapësirat dhe ne kemi vuajtur sepse përpara vinin pak topa. Jemi të lumtur për atë që jemi duke e bërë, sepse është diçka e jashtëzakonshme ajo që e kemi bërë gjatë sezonit”.

“Sot ishte një hap i rëndësishëm për Scudetto, sepse do na mjaftojë ta fitojmë ndeshjen e ardhshme, për t’u shpallur kampionë”.

“Të enjten do ta zhvillojmë një tjetër ndeshje të rëndësishme, e cila mund të na sigurojë finalen në Juventus Stadium. Do të bëjmë gjithçka për ta arritur këtë”, përfundoi Llorente.