Ndërtimtarët ndërpresin çdo bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës

Shoqata e ndërmarrjeve ndërtimore dhe prodhuesve të materialeve ndërtimore, të organizuar pranë Odës Ekonomike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 8 prill ka vendosur që të ndërpresë të gjitha format e bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës.

Lajme

13/04/2015 22:21

Në një letër publike, që e posedon redaksia e portalit standardi.eu, shoqata në fjalë i ka dërguar një njoftim kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, që precizon ndërprerjen e bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës. Ndërprerja e të gjitha formave të komunikimit dhe bashkëpunimit do të fillojë të zbatohet prej datës 14 prill (nesër), ndërsa në vijimësi Shoqata do të përcaktojë hapat e mëtejshëm të veprimit të saj.

Ky vendim vjen nga fakti se Komuna e Prishtinës e ka rënduar dhe e ka penguar zhvillimin e bizneseve të ndershme, duke ngritur barriera dhe shumë vështirësi në punën afariste-biznesore.

Në njoftimin e dërguar Shpend Ahmetit, ndër të tjera thuhet:

“Ju njoftojmë se Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhuese e Materialeve ndërtimore të Kosovës, përfundimisht ndërpret çdo formë të bashkëpunimit dhe komunikimit afarist me KK të Prishtinës, gjegjësisht me kryetarin e saj z. Shpend Ahmetin, si dhe me drejtorin e Urbanizmit, z Liburn Aliu.

Shoqata ka vlerësuar se ka bërë të pamundurën për gjetjen e formave të bashkëpunimit dhe ka shprehur gatishmërinë e saj maksimale për të tejkaluar të gjitha situatat e mundshme, pengesat dhe parregullsitë nga kushdo qe kanë ardhur ato, me të vetmin qëllim krijimin e kushteve për vazhdimin e aktiviteteve afariste-biznesore. Po ashtu, ky është vendim unanim i shoqatës, se lidhur me kërkesat e parashtruara deri me tani, inicimi për marrëveshje të mundshme për çështje të caktuara si dhe parashtrimet në kontaktet e drejtpërdrejta me kryetarin e Komunës, apo drejtorin e urbanizmit nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret.

Duke pasur parasysh se tani jemi në muajin e katërt të vitit 2015, ne kemi konsideruar se vazhdimi i mëtejmë i përpjekjeve për të tejkaluar gjendjen shumë të rëndë në lëmin e ndërtimtarisë, e cila bazuar në praktikën e gjertanishme është joracionale, pasi që më nuk është e besueshme që të ketë zgjidhje të shpejta e konkrete për krijimin e kushteve për punë.

Ndërprerja e formave të komunikimit dhe bashkëpunimit do të fillojë të zbatohet prej datës 14.4 2015, ndërsa Shoqata do të përcaktojë për hapat e mëtejmë të veprimit të saj”.