Ndërrimi i lokacionit të Stadiumit Nacional mund t’i kushtojë Kosovës 15 milionë euro

Vendimi i Qeverisë për ta ndërruar lokacionin e stadiumit kombëtar të futbollit, mund t’i kushtojë Kosovës me humbje të 15 milionë eurove që i kishte marrë si mbështetje nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Sport

12/02/2018 09:32

Projekti ka qenë që në të njëjtin vend të ndërtohej parku i ri i biznesit në një hapësirë prej 63 hektarësh.

Mirëpo, me vendimin e ri që stadiumi të kalojë për ndërtim nga Bërnica në Drenas gjërat ndryshuan, sepse parkut i mbetën hapësirë vetëm 40 hektarë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka pranuar mundësinë e humbjes së përkrahjes për këtë projekt nga BERZH-i dhe për pasojë edhe dështimin e ndërtimit të një parku të tillë.

Ndërtimi i tij nuk do të mund të ndodhë nga paratë e kësaj ministrie.

Zyrtarë të BERZH-it nuk kanë dashur të japin shumë detaje rreth këtij procesi.

“BERZH-i u kontaktua në janar të 2017-s nga Qeveria e Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, për të shqyrtuar mundësinë e sigurimit të financimit për zgjerimin e një Zone Industriale ekzistuese në Komunën e Drenasit. Për shkak të zgjedhjeve parlamentare të Qershorit 2017, projekti u vu në pritje për disa muaj, derisa Qeveria e re mori detyrën në shtator 2017. Që atëherë, BERZH-i dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë rifilluar diskutimet mbi konceptin, strukturën dhe madhësinë e projektit. Meqenëse diskutimet janë duke u zhvilluar aktualisht, ne nuk mund të komentojmë më tej në këtë fazë. Ne do të jemi në gjendje të themi më shumë sapo të përfundojnë diskutimet”, thuhet në përgjigjen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim-BERZH.

Burime të KTV-së brenda Qeverisë kanë bërë të ditur se BERZH-i nuk ka qenë fare i informuar për marrjen e pronës për ndërtim të stadiumit.

BERZH-i, sipas tyre, kishte angazhuar ekipet për të bërë studimin e fizibilitetit të projektit dhe dizajnimin e tij dhe megjithëse kërkesa e Qeverisë ishte që i njëjti projekt të realizohej në Zonën Industriale në Suharekë, BERZH-i nuk kishte pranuar.