Ndërpritet restaurimi i Hamamit në Prizren për shkak të fondeve

Punimet në restaurimin e pullazit të Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren, janë ndërprerë për shkak të shpenzimit të fondeve.

Lajme

23/03/2015 10:34

Ky projekt është iniciuar dhe mbështetur nga UNESCO, por që gjatë restaurimit kanë dalë edhe punime shtesë, të cilat nuk kanë qenë të parapara në projektin fillestar.

Organizata Ec Ma Ndryshe, e cila ka hulumtuar këtë çështje thotë se ky projekt është paraprarë që të përfundoj në maj, por se tashmë është ndërprerë.

“Në bazë të informatave të marra nga përgjegjësit e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (QRTK) del se punimet në këtë projekt kanë qenë të parapara të kryhen deri në muajin maj të vitit 2014 dhe se me përfundimin e fondeve të ndara nga UNESCO-ja ato janë ndërprerë”.

“UNESCO ka iniciuar projektin. Plani i restaurimit është hartuar nga  QRTK-ja. UNESCO ka shpallur tenderin ndërkombëtar për realizimin e punimeve, dhe sipas njohurive të QRTK-së, shuma e ndarë për punime të restaurimit në këtë fazë ka qenë 163 mijë e 528 euro. Kontratat dhe pagesat janë bërë drejtpërdrejtë mes UNESCO-s dhe punëkryesit, pas konfirmimit dhe verifikimit të çdo pozicioni nga ana e mbikëqyrësit të QRTK-së dhe të UNESCO-s”, thuhet në njoftim.

Ec Ma Ndryshe njofton se për punimet shtesë është kërkuar mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, por se akoma kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

“Sipas QRTK-së gjatë restaurimit kanë dalë punime shtesë meqë janë konstatuar dobësi të theksuara në strukturën e hamamit, pasi është hasur se katër kube dhe një qemer në anën perëndimore të Hamamit të rindërtuara në vitet 1960/70 janë punuar dobët dhe se struktura e tyre ka qenë para kolapsit, prandaj dhe me miratimin e UNESCO-s dhe mbikëqyrësit të punimeve është vendosur që të intervenohet edhe në këtë drejtim”.

“Ndërsa zyrtarët përgjegjës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë konfirmuar se punimet në restaurimin e pullazit të Hamamit janë ndërprerë për shkak të mungesës së mjeteve financiare. MKRS ka shpjeguar se ka shqyrtuar mundësinë e mbështetjes financiare për punimet shtesë dhe të paparapara në Hamam, por se për shkak të vonesave në procesin e rishikimit buxhetor nuk është marrë ndonjë vendim.

“Zyrtarët e QRTK-së kanë shpjeguar se shuma e nevojshme për përfundimin e punimeve në pullazin e Hamamit është 57 mijë e 730 euro dhe se kërkesat për mbështetje financiare për përfundimin e punimeve të fazës së parë janë adresuar në MKRS, Komunën e Prizrenit, ambasadat dhe agjencitë e huaja dhe se deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje pozitive”.

“MKRS ka konfirmuar pranimin e kërkesës nga QRTK-ja, dhe ka bërë të ditur se e ka adresuar si prioritet dhe pret që e njëjta të miratohet”, thuhet tutje në njoftim.

Por, përderisa pritet që punimet të rifillojnë, në muajin e kaluar Hamami në Prizren ka qenë cak i dy rasteve të keqbërësve, ku është dëmtuar shtresa e plumit. Për këto raste tashmë Policia e Kosovës ka hapur hetimet.

Organizata Ec Ma Ndryshe kërkon nga institucionet përkatëse që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm, në mënyrë që punimet në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës të rifillojnë.

“Duke i marrë për bazë këto të gjetura EC Ma Ndryshe konsideron se mos përmbyllja e punimeve në objektin e Hamamit e bën atë të cenueshëm, prandaj dhe duhen ndërmarrë veprime të menjëhershme për përmbylljen e punimeve restauruese dhe shtimin e masave të sigurisë, marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një monument shumë të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore”.

“Prandaj EC Ma Ndryshe rekomandon QRTK-në dhe MKRS-në që në projektet e ardhshme të kenë planifikim më të kujdesshëm, në mënyrë që të parashihen fonde edhe për punët e mundshme shtesë, apo që kërkesat e kësaj natyre të adresohen më me urgjencë”.

“Po ashtu i bën thirrje MKRS-së që me urgjencë të angazhohet për gjetjen e fondeve për përmbylljen e punimeve të restaurimit të pullazit të Hamamit. Nga QRTK dhe MKRS kërkon që të gjejnë një zgjidhje për vendosjen e rojeve, si masë të shtuar për sigurinë e objektit”, thuhet në njoftimin e organizatës Ec Ma Ndryshe. (lajmi.net)